APLIKIMET PËR STUDIMET KANË FILLUAR!  APLIKO

Master i Shkencave në Inxhinieri Ndertimi

Master i Shkencave në Inxhinieri Ndertimi

Master në Inxhinieri Ndërtimi (120 ECTC, 2 vite akademike, me kohë të plotë)
Profili profesional

Qëllimi i Programit të Studimit Master Shkencor në Inxhinieri Ndertimi është që të përgatisë studentët profesionalisht si Inxhinierë Ndërtimi në profilet Gjeoteknikë dhe Strukturë me mundësi integrimi në një kontekst shumëdisiplinor pune si në sektorin e punësimit privat ashtu dhe publik. Ky program studimi i ciklilt të dytë mund të konsiderohet si vazhdim i studimeve të ciklit të parë të atyre programeve të cilët japin formime me bazë të gjerë në fushën e inxhinierisë së ndërtimit. Ndarja e studimeve në dy profilet perkatëse si Gjeoteknike dhe Strukture synon të përgatisë ekspertë për tregun e punës në Shqipëri dhe Europë.

Mundësitë për punësim
Sektorët kryesorë të punësimit përfshijnë:

– Sektori privat: sipermarrje projektimi dhe ndërtimi arkitektonik e inxhinierik, firma konsulence, kontraktorë, profesionist i lirë në projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e një shumëllojshmëri projektesh; studio të projektimit inxhinierik dhe arkitektonik.
– sektori i shërbimeve dhe prodhimit industrial në fushën e ndërtimit ( materialet, pajisje, etj.)
– Sektori publik: autoritete lokale apo agjencive qeveritare; në nivelet e ndryshme të qeverisjes; duke filluar që nga bashkite e komunat e deri tek qarku apo rajonet;
– Institucionet kërkimore shkencore vendase dhe të huaja të cilat kanë për fokus fushën e ndërtimeve si psh. teknologjia e ndërtimit dhe e materialeve të ndërtimit, standartet e projektimit të objekteve të ndryshme lidhur me funksionin për të cilat projektohen, standartet teknike të detajeve arkitektonike, etj.

PROGRAMI MESIMOR

Semestri I
Dinamika e Strukturave dhe Inxhinieria Sizmike“Dinamika e Strukturave dhe Inxhinieria Sizmike” merret me analizën e gjendjes së sforcuar dhe të deformuar të strukturave që u nënshtrohen ngarkimeve Dinamike. Nëpermjet analizës dinamike të strukturave – jepen një seri zgjidhjesh të cilat u korrespondojnë momenteve të ndryshme të kohës. Kjo është një nga dallimet kryesore të problemeve dinamike kundrejt atyre statike. Zvogelimi dhe eliminimi i efekteve të ngarkesave dinamike dhe sizmike në struktura është një ndër kërkesat kryesore te projektimit në ditët e sotme, e lidhur kjo me sigurinë e jetës së përdoruesve të ndërteses dhe me aspekte të tjera ekonomike të ndërtesës. Lënda përbëhet nga dy pjesë kryesore: dinamika e strukturave dhe inxhinieria sizmike. Në fund, objektivi kryesor i lëndes është ti përgatisë studentet me njohuri të plota mbi llogaritjet nën veprimin e ngarkesave dinamike dhe projektimin antisizmik të strukturave në veçanti.
Mekanikë ShkëmbiLënda ‘Mekanikë Shkëmbi’ mbulon sjelljen e shkëmbinjve dhe masivit shkëmbor. Fillimisht flitet për vetitë karakterizuese të shkëmbit dhe të masivëve shkëmbore si dhe të klasifikimit të këtyre masivëve në bazë të vetive përkatëse. Më pas shpjegohen klasifikimet e ndryshme të masivit shkëmbor dhe përdorimi i secilit klasifikim, në varësi të qëllimit. Sjellja e shkëmbinjve shihet në aspektin e marrëdhenies sforcim-deformim dhe të kritereve të shkatërrimit. Pjesë e rëndësishme e kursit janë përshkrimi i metodave të matjes dhe përcaktimit të vetive dhe deformimeve të shkëmbit në laborator dhe në terren. Aplikimet e mekanikës së shkëmbit në tunele, gërmime nëntokësore dhe pjerrësi shkembore zenë një pjesë të rëndësishme të lëndës. Objektivi kryesor i lëndës është njohja me sjelljen inxhinierike të masivëve shkëmborë në situata të ndryshme: pjerrësi shkëmbore, punime nëntokësorë apo bazament për vepra civile dhe infrastrukturore.
Teori e Avancuar e Strukturave 1 (Metoda Energjitike)Zhvillimi i Teorisë së Avancuar të Strukturave, si shkencë e ekuilibrit dhe lëvizjes së trupave, që në fillimet e saj është e lidhur ngushtë me zbulimin, formulimin dhe aplikimin e parimeve energjitike. Kështu, edhe për fushën e Statikës këto parime janë të një rëndësie kryesore. Dobia praktike e aplikimit të parimeve energjitike qëndron në mundësinë që ato japin për të marrë relativisht lehtë zgjidhjet e kërkuara, ndërkohë që ka probleme zgjidhjet e të cilëve janë shumë të vështira ose gati të pamundura të arrihen me metoda të tjera.Pjesa e parë e lëndës u referohet trupave dhe sistemeve konstruktive të trajtuar si të padeformueshëm dhe që janë në fakt skema statikisht të caktuara. Pjesa e dytë ka per objekt sistemet e deformueshëm elastikë. Objektivi i kësaj lënde është ti përgatisë studentët me njohuri sa më të plota mbi metodat energjitike në llogaritjet strukturore.
Projektim Arkitektonik 1Lënda Projektim Arkitektonik 1 (Menaxhim Ndërtimi) është konceptuar të zhvillohet në semestrin e parë të vitit të parë Inxhinieri Ndërtimi – programi Master Shkencor. Lënda synon që studentët të kenë mundësi për të marrë më tepër njohuri rreth kantiereve të ndërtimit dhe menaxhimit të tyre, të zhvillojnë njohuritë profesionale dhe praktike rreth menaxhimit të proceseve ndërtimore duke patur gjithmonë në mendje zgjidhje teknike sa më cilësore, të sigurta dhe efiçente. Objektivat kryesorë të lëndës janë të pajisë studentët me njohuritë kryesore mbi: organizimin e një kantieri, menaxhimin e proceseve të ndryshme ndërtimore, njohjen e stafit të punës dhe rolin e secilit prej tyre, njohjen dhe hartimin e dokumentacionit teknik në një kantier, njohjen e detajeve të ndryshme komplekse arkitektonike dhe teknike për zbatim, të zhvillojë intuitën teknike gjatë leximit të projekteve të zbatimit për të evidentuar probleme të aspektit tekniko-ekonomik.
Metoda NumerikeLënda ‘Metoda numerike’ është një thellim i mëtejshëm në llogaritjen e strukturave, pas metodave energjitike dhe atyre matricore. Kryesisht kursi fokusohet në koncepte të përgjithshme mbi Teorinë e Elasticitetit në analizat e strukturave dhe Analiza e trajtimit të elementëve një, dy dhe tre-përmasorë. Njëkohësisht lënda përqëndrohet në koncepte mbi metodën e elementëve të fundëm (MEF). Fillimisht përshkruhet ideja e kësaj metode si dhe karakteristikat e saj. Përcaktohen cilat janë supozimet dhe kushtet fillestare të metodës. Më pas kalohet në ndërtimin e matricave të ngurtësisë të elementëve të vecantë si dhe në mbledhjen e tyre për gjithë strukturën. Aplikime të MEF bëhen për shumë tipe të ndryshme strukturore, qoftë në mënyrë manuale si dhe nëpërmjet aplikimeve kompjuterike të kësaj metode. Në këtë lëndë studentët do të marrin njohuri të thelluara mbi Teorinë e Elasticitetit dhe Metodën e Elementëve të Fundëm.
Materiale të Avancuara NdërtimiNë këtë lëndë do të trajtohen materialet e avancuara të ndërtimit si dhe aplikimi i tyre në struktura të ndryshme. Përvec anës teorike lënda do të konsistojë dhe në një kërkim të thelluar shkencor ku studentët do të hulumtojnë rreth materialeve të avancuara në fushën e ndërtimit dhe teknologjitë më të fundit në ndërtim. Kërkimi shkencor mund të këtë karakter statistikor, krahasimor ose aplikativ në lidhje me materialet e avancuara. Në kërkimin shkencor mund të perfshihen dhe rishikime të literaturës duke ju referuar një materiali të caktuar. Kërkimi shkencor do të finalizohet duke shkruar një artikull shkencor në një revistë shkencore të pajisur me ISSN. Objektivi i kësaj lëndë është të pregatisë studentët me njohuri mbi materialet e avancuara që përdoren në ndërtim si dhe të aftësojë studentët në kryerjen e një kërkimi të mirëfilltë shkencor duke shkruar një artikull shkencor.
Introduction to BIMLënda në koncept është njohje dhe aftësim në teknologjine BIM dhe është një lëndë e hartuar për të zhvilluar njohuritë dhe aftësitë e pjesëmarrësve në përdorimin e teknologjive BIM në fushën e ndërtimit. Në përfundim të lëndës, studenti do të jetë aftësuar për modelimin e informacionit 3D në Revit, mënyrën e koordinimit dhe punës në grup, teknikat e kontrollit dhe të bashkëpunimit të disiplinave të ndryshme në kohe reale në të njëjtin model. Gjithashtu, në mbyllje të fazës së modelimit të informacionit, do të jetë aftësuar në organizimin dhe menaxhimin e informacionit të modeluar, duke u njohur me teknika në efikasitetin e proçesit dhe shfrytëzimin sa më të mirë të modelit të ndërtuar. Pra, në përfundim të lëndës, do të jetë pajisur me dije dhe teknika jo vetëm modelimi por edhe menaxhimi dhe ndërveprimin multidisiplinar.
Semestri II
Teknologji dhe Infrastrukturë Qyteti (Rrugë, Ura, Tunele)Lënda “Teknologji dhe Infrastrukturë Qyteti (Rrugë, Ura, Tunele)” trajton aspektet ndërtimore të elementeve më të rëndesishem të infrastrukturës. Përvetësimi i kësaj lënde ka rëndësi të vecantë sepse ka lidhje direkte me zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të një vendi. Pavarësisht se tema është e gjerë, kjo lëndë fokusohet në aspektet më të rëndesishme lidhur me kërkesat dhe projektimin e rrugëve dhe urave. Gjithashtu studentët marrin njohuri dhe për ndërtimin e tuneleve. Një element tjetër shumë i rëndësishëm është edhe trafiku dhe njohuritë mbi fluksin e qarkullimit të automjeteve. Kjo lëndë ka si synim të saj tu hap studentëve një dritare ku ata të kenë mundësi të thellohen në studime të mëtejshme. Objektivi i kësaj lënde është të formojë studentët e inxhinierisë së ndërtimit me njohuritë bazë të llogaritjes së veprave infrastrukturore me një fokus tek mbistruktura rrugore fleksibël.
Konstruksione HidroteknikeLënda “Konstruksione Hidroteknike” zhvillohet gjatë semsetrit të dytë me studentët e vitit parë, të Masterit në Inxhinieri Ndërtimi – Profili Strukturë. Lënda kryesisht trajton veprat më të rëndësishme hidroteknike, duke nisur me disa kuptime të përgjithshme rreth tyre e deri te llogaritjet apo projektimi i tyre. Fillimisht do të trajtohen rrjedhja e njëtrajtshme dhe jo e njëtrajtshme, për të marrë disa kuptime të përgjitshme rreth kanaleve dhe profileve të tyre, llogaritjeve të kanaleve; energjisë specifike dhe thellësisë kritike. Duke marrë këto njohuri bazë studentët do jenë më të qartë për zhvillimin e pjesës tjetër të leksioneve që kanë të bëjnë me veprat hidroteknike si, kapërderdhësat, elementet hidraulikë të veprave hidroteknike, kaskadave dhe llogaritja e tyre apo muret dhe puset e shuarjes së energjisë. Në fund të kësaj lënde studentët duhet të jenë të aftë të identifikojnë veprat hidroteknike dhe elementët e tyre hidraulikë.
Probabilitet dhe StatistikëLënda “Probabilitet dhe Statistikë” është konceptuar në mënyrë të tillë për të aftësuar studentët e inxhinierisë së ndërtimit në zgjidhjen e problemeve inxhinierike që kanë për bazë pasiguritë dhe elementë të probabilitetit. Si një shkencë e aplikuar, inxhinieria e ndërtimit karakterizohet nga mjaft pasiguri që shoqërojnë si fazën e projektimit ashtu edhe atë të zbatimit, për këtë arsye shpesh herë futet në lojë koncepti probabilitar, i cili është thelbësor në paraqitjen e një zgjidhje inxhinierike sa më të sigurt dhe ekonomike. Në lëndë do të jepen konceptet probabilitare si mesatearja, kovarianca, variance, shpërndarja normale apo logaritmike, analizat e besueshmërise (FOSM, SOSM, Metoda të vlerësimit pikësor etj), shpjegim i eurokodeve strukturorë (Eurokode 0 në vecanti) si kode të gjeneruara falë analizave gjysëm probabilitare si dhe do të zhvillohen analiza të detajuara të riskut natyror me fokus të vecantë tek risku sizmik.
Teori e Avancuar e Strukturave 2 (Qëndrueshmëri)Teori e Avancuar e Strukturave 2 (Qëndrueshmëri) trajton parime dhe metoda llogaritjeje për përcaktimin e ngarkesave statike, të cilat i korrespondojnë ekuilibrit të paqëndrueshëm, si dhe zhvendosjet e fundit, të cilat vihen re pasi sistemi e humb qëndrueshmërinë. Numri i formave të ekuilibrit të paqëndrueshëm të sistemit përcaktohet nga numri i shkallëve të lirisë së sistemit. Pjesa e parë e lëndës trajton qëndrueshmërinë e sistemeve statikisht të pacaktuar trarë dhe rama, llogaritjen e ngarkesave kritike. Ndërsa pjesa e dytë trajton aspektet teorike të projektimit të strukturave hapësinore, membrana, guacka, kupola dhe pllaka. Gjithashtu në pjesën e dytë do të trajtohen edhe sistemet me mure të strukturave, aspektet e qëndrueshmërisë. Studenti në përfundim të kësaj lënde aftësohet në krijimin e mekanizmave që çojnë në kolapsimin dhe humbjen e aftësisë mbajtëse të strukturave si dhe zgjidhjen e variablave të forcës kritike.
Konstruksione Beton Arme 2Lënda Konstruksione prej Betoni të armuar 2 është konceptuar të zhvillohet në programin Master i Shkencave në Inxhinieri Ndërtimi. Lënda përmban kuptime themelore të konceptimit, modelimit kompjuterik dhe llogaritjes së strukturave prej betoni të armuar, bazuar në Eurokode. Lënda vjen me një thellim teorik dhe aplikativ, në vijim të pjesës së parë “konceptet bazike”, të trajtuara në bachelor. Përvec llogaritjes klasike së konstruksionit, parametrat fiziko-mekanik të materialeve të përdorura në konstruksionet betonarme, kjo lëndë trajton edhe modelimet kompjuterike si mjet për të rritur efikasitetin e llogaritjeve bazë të projektimit sizmik (normativat e Eurokode-2). Objektivi i kësaj lënde është të përgatisë inxhinierët strukturist në formimin e tyre me njohuri të avancuara konstruktive dhe projektuese. Studentët duhet të përvetësojnë parimet bazë teoriko-aplikative të konceptimit.
Projektim Arkitektonik 2Lënda “Projektim Arkitektonik 2 (Dizajn Ambjental)” shtron bazat e njohurive të para në projektimin e qëndrueshëm, bioklimatik me ndjeshmëri të lartë ndaj mjedisit si dhe drejt realizimit të banesave me efiçencë të lartë energjie apo godina me konsum zero energjie. Lënda është e strukturuar në tre plane: 1. Plani teorik. Konsiston në bllokun e leksioneve. Do të zhvillohen në total 4 cikle leksionesh. 2. Prezantimet. Grupet e studentëve do të realizojnë 2 prezantime. Prezantimi i parë ka të bëjë me një video të shkurtër prej 3 min të realizuar nga studentët në lidhje me problematikat ambjentale në qytetin e Tiranës. Prezantimi i dytë ka të bëjë me kërkimet dhe prezantimet e rasteve studimore. 3. Plani praktik. Konsiston në dhënien e detyrës së projektimit deri në fazën e projekt zbatimit të një godine parasite me një siperfaqe prej 500m2, në qytetin e Tiranës.
Semestri III
Restaurim dhe Përforcim i StrukturaveRestaurimi dhe përforcimi i strukturave është një lëndë e cila ka si qëllim të njohë studentët me teknikat dhe materialet që përdoren për restaurinin ose përforcimin e strukturave ekzistuese (muraturë, beton arme, metalike, etj). Në fokus janë ndërtesat ekzistuese të dëmtuara, degraduara nga shkaqe natyrore si dhe ndërtesat të cilat ndryshojnë destinacionin. Programi i lëndes përfshin tre module kryesore. Objektivi i kësaj lëndë është të pregatisë studentët me njohuri mbi teknikat dhe materialet që përdoren për të përforcuar një ndërtesë ekzistuese. Në perfundimin e lëndës studenti do të jetë i aftë për të vlerësuar gjendjen aktuale të strukturave ekzistuese duke bërë evidentimin e dëmtimeve të ndryshme që mund të kenë strukturat. Gjithashtu, studenti do të aftësohet në llogaritjen e aftësisë mbajtëse të strukturave ekzistuese dhe përforcimin e tyre në rastet e nevojshme.
Konstruksione Metalike 2Lënda “Konstruksione Metalike 2” trajton aspektet ndërtimore të një prej tipologjive strukturore më të rëndesishem të veprave inxhinierike qofshin këto të karakterit civil apo infrastrukturor. Përvetësimi i kësaj lënde ka rëndësi të veçantë sepse ka lidhje direkte me një ndër aktivitetet primare që inxhinierët hasin sapo angazhohen në tregun e punës (qoftë ky lokal apo dhe rajonal e më gjërë). Materiali i çelikut është kryesori në realizimin e veprave inxhinerike, përveç beton-armesë, ndaj përvetësimi i dijeve mbi projektimin e strukturave metalike është thelbësor në veçanti për një inxhinier strukturist. Lënda përmbledh njohuri bazë që nisin me njohjen e sjelljes së çelikut strukturor si material dhe zhvillohet më gjërë në aspektet më të rëndësishme lidhur me kërkesat dhe projektimin e strukturave metalike qofshin këto të gjendura në një godinë apo në një urë.
Themelet me PilotaLënda “Themelet me pilota” (për studentët e profilit Strukturist) trajton vazhdimin e lëndës Gjeoteknikë II, e zhvilluar në ciklin e studimeve Bachelor. Më konkretisht do të bëhet një prezantim më i detajuar i këtyre tip themelesh. Rastet kur përdoren këto tipe themelesh dhe evidentinim i avantazheve dhe disavantazheve të këtyre strukturave. Rritja e kompleksitetit në projektim, nisur nga fakti që shpesh detyrohemi të ndërtojmë në zona të komplikuara nga pikëpamja gjeologjike dhe për këtë arsye themelet e thellë po gjejnë një përdorim të gjerë dita ditës për shkak të mundësisë së instalimit të tyre në thellësi të mëdha aty ku dhe aftësia rezistuese e bazamentit është shumë e madhe. Lënda përshkruan klasifikimin bazë për çdo tip themeli, karakteristikat e tyre, rastet e përdorimit si dhe mënyrën e projektimit nisur nga tipi, materiali i përdorur si dhe lloji i dheut ku do të ndërtohen.
Teza dhe Projekt DiplomaLënda e “Teza dhe Projekt Diploma” për Programin Master i Shkencave në Inxhinieri Ndërtimi do të ndihmojë studentët në përgatitjen e temave të diplomës të cilat do të kryhen nën udheheqjen e stafit të përcaktuar. Nëpërmjet udhëheqjes dhe hartimit të temës së diplomës, studentët do të përfitojnë njohuri të thelluara në fusha të ndryshme të Inxhinierisë së Ndërtimit në Shqipëri, rajon dhe më gjërë. Temat e përzgjedhura do të jenë në përputhje me dëshirën e vetë studentëve por edhe me profilin e udhëheqësit të temës në mënyrë që të garantohet një cilësi sa më e lartë e punës. Përvec punës vetjake të studentit, temat e diplomës do të shqyrtohen herë pas herë nga një komision këshillimor i përbërë nga udhëheqësit e temave të diplomës. Komisioni do të ndihmojë studentët në respektimin e metodologjisë së duhur dhe në hartimin e mbrojtjen e temave sa më cilësore.
WSHP TAW/TDW
Semestri IV
Analizë dhe Projektim Strukturor Kompjuterik i AvancuarLënda “Analizë dhe Projektim Strukturor Kompjuterik i Avancuar” është një modul specifik për studentët e profilit Strukturist. Në këtë lëndë jepen njohuri të avancuara strukturore nisur nga këndveshtrimi i një Projektuesi konstruktor, konceptet dhe metodat themelore të përzgjedhjes së tipit të elementëve, se parametrave të materialit, së kondicioneve kufitare, të skemave të ngarkimit, së procedurave të kontrollit si dhe aspekte të tjera të modelimit kompjuterik, analizës dhe llogaritjes së elementeve me ndihmën e software-ve. Kjo do të realizohet nëpërmjet aplikimeve të avancuara duke operuar midis software-ve të ndryshëm brenda mjediseve BIM (Building Information Modeling). Objektivi kryesor i kësaj lënde është që në përfundim të saj studentët të kenë këndvështrimin e tyre profesional dhe shkencor rreth mundësive apo limiteve të modelimit kompjuterik “linear dhe jolinear” të stukturave të ndryshme inxhinierike.
Konstruksione Beton Arme 3 (Special)Lënda “Konstruksione prej Betoni të Armuar 3” është konceptuar të zhvillohet në simestrin e dytë të vitit të dytë master. Kjo lëndë përmban konceptet bazë të, modelimit dhe llogaritjes së strukturave speciale prej betoni të armuar. Lënda fokusohet kryesisht në strukturat planare dhe hapësinore. Programi i lëndës synon të përgatisë dhe të përforcojë dijet e studentëve në formimin e tyre me njohuri komplekse konstruktive. Studenti pas përvetësimit të parimeve bazë teoriko-praktike të konceptimit, modelimit llogaritjes dhe realizimit të strukturave civile, në vazhdim të këtij kursi të llogarisë, modelojë, analizojë dhe projektojë struktura hapësinore (speciale) prej b/a. Qëllimi është të sigurojë njohuri të avancuara për kuptimin dhe vënien në praktikë të këtyre njohurive në struktura të ndryshme hapësinore (speciale).
Metoda Kërkimore të AvancuaraKjo lëndë është formuluar për t’u ofruar studentëve të masterit njohuri të thelluara në metodat dhe teknikat e kërkimit shkencor. Studentët do të mësojnë si të zhvillojnë projekte kërkimore në fushën e inxhinierisë së ndërtimit si dhe të bashkëpunojnë në grup. Përveç anës teorike lënda do të konsistojë dhe në një kërkim të thelluar shkencor. Kërkimi shkencor mund të ketë karakter statistikor, krahasimor ose aplikativ në lidhje me një temë të caktuar nga fusha e inxhinierisë së ndërtimit. Kërkimi shkencor do të finalizohet duke shkruar një artikull shkencor në një revistë shkencore të pajisur me ISSN. Objektivi i kësaj lënde është të përgatisë studentët me njohuri mbi metodat kërkimore të avancuara si dhe të aftësojë studentët në kryerjen e një kërkimi të mirëfilltë shkencor duke shkruar një artikull shkencor.
Teza dhe Projekt DiplomaLënda “Teza dhe Projekti i Diplomës” për Masterin Shkencor në Inxhinieri Ndërtimi në Universitetin POLIS është një fazë përmbyllëse dhe thelbësore e programit të studimeve. Ajo synon të zhvillojë aftësitë kërkimore, analitike dhe praktike të studentëve përmes hartimit të një projekti të avancuar ose një teme kërkimore që lidhet me sfidat bashkëkohore në inxhinieri ndërtimi. Studentët punojnë individualisht nën mentorimin e një pedagogu, duke ndjekur standardet akademike dhe profesionale. Projekti final prezantohet dhe mbrohet para një komisioni vlerësues, duke shërbyer si provë e pjekurisë akademike dhe gatishmërisë për tregun e punës apo studime të mëtejshme.
Internship Profesional/b>Lënda “Internship Profesional” për Masterin Shkencor në Inxhinieri Ndërtimi në Universitetin POLIS u ofron studentëve mundësinë të zbatojnë njohuritë teorike në një mjedis real pune. Gjatë praktikës, studentët angazhohen në kompani, zyra projektimi apo institucione të sektorit ndërtimor, ku përfshihen në detyra profesionale që lidhen me projektimin, menaxhimin, mbikëqyrjen apo ndërtimin. Qëllimi i kësaj lënde është forcimi i aftësive teknike dhe bashkëpunuese, rritja e përvojës praktike dhe përgatitja për sfidat e tregut të punës. Praktika monitorohet nga një mbikëqyrës akademik dhe një mentor nga institucioni pritës, dhe përfundon me një raport profesional dhe vlerësim të strukturuar.