APLIKIMET PËR STUDIMET KANË FILLUAR!  APLIKO

Administrim Biznesi

Administrim Biznesi

Bachelor në Administrim Biznesi (180 ECTC, 3 vite akademike, me kohë të plotë)
Profili profesional

Programi i studimit Bachelor ne Administrim Biznesi (BAB) pranë POLIS Business School ju jep një kuptim se si janë strukturuar kompanitë dhe llojet e tjera të organizatave dhe se si ato marrin vendime bazuar në intuitë, numra dhe të menduarit ekonomik, duke konsideruar qëndrueshmërinë mjedisore dhe sociale. Nga BAB do të fitoni njohuri në fushat e biznesit ndërkombëtar, ekonomisë, financave, kontabilitetit, statistikave, strategjisë, marketingut, inovacionit dhe tekonlogjise si edhe do të aftësoheni në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe proceseve komplekse organizative. Ju gjithashtu do të mësoni se si të trajtoni sfidat e komunikimit brenda kompanisë dhe ato jashtë saj me mjedisin e jashtëm dhe grupet e interesit (stakeholders). BAB ka për qëllim pajisjen e studenteve me njohuri teorike dhe aftësi
praktike mbi sipërmarrjen dhe menaxhimin e bizneseve, duke filluar nga biznesi i vogël familjar e deri te korporatat.

Mundësitë për punësim

Aftesitë teoriko-praktike të perftuara nga BAB pranë POLIS Business School krijojnë një larmishmëri punësimi ndërfunksionale (përfshirë pjesën më të madhe të departamenteve të biznesit) dhe ndërsektoriale (në sektorin publik dhe privat). Konkretisht, të diplomuarit nga ky program mund të punësohen në departamente të ndryshme të Administratës Publike, si për shembull departamenti i prokurimeve,
financës, burimeve njerëzore, marketingut, komunikimit, etj. Sa i përket sektorit privat, studentët e BAB kanë parësi në departamente si ato të burimeve njerëzore, ekonomiksit, marketingut, prodhimit dhe logjistikës, shitjeve, marrëdhënieve me klientin, financës dhe kontabilitetit, menaxhimit të cilësise, etj. Gjithashtu, vetëpunësimi nëpërmjet sipërmarrjeve private dhe sociale mbetet një opsion mjaft tërheqës në
tendecat e sotme të tregut.

PROGRAMI MËSIMOR

Semestri I
Hyrje në MikroekonomiLënda synon të pajisë studentët me koncepte bazë të ekonomisë. Këto koncepte do të ndihmojnë studentin të kuptojë mënyrën e sjelljes së agjentëve ekonomikë: familje, biznes apo aktorë publikë. Me një nivel mbi atë fillestarin, në këtë lëndë trajtohen bazat teorike të dy pjesëve kryesore përbërëse të teorisë mikroekonomike: (i) teoria e konsumatorit dhe (ii) teoria e prodhuesit. Trajtimi i këtyre pjesëve kufizohet në kushtet e një tregu të konkurrencës së plotë. Në pjesën e parë, në teorinë e konsumatorit, zhvillohet fillimisht kufizimi i tij buxhetor. Më tej trajtohet ana tjetër e sjelljes konsumatore: si ai e koncepton dobinë e tij. Këtu zhvillohet teoria e dobisë, e preferencave dhe ajo e zgjedhjes konsumatore. Teoria e konsumatorit finalizohet me ndërtimin e kurbës së ofertës individuale dhe të asaj të tregut, si konkretizim i sjelljes konsumatore.
Analizë Biznesi I (Parimet e Menaxhimit)Objektivi kryesor i kësaj lënde është të angazhohen studentët nga një perspektivë e kërkimit aktiv dhe jo si konsumatorë të fakteve dhe recetave. Bazat e forta që studentët do të fitojnë në këtë lëndë do t’i ndihmojnë ata të vërejnë lidhjet me botën reale të menaxhimit. Lënda Analizë Biznesi I (Parimet e Menaxhimit) është e rrënjosur thellë në një filozofi Druckeriane, që përmblidhet me fjalët e krijuesit të menaxhimit modern, Peter Drucker: “Një menaxher që kupton disiplinën e menaxhimit mund të jetë ende një menaxher efektiv – ndoshta edhe i nivelit të parë – edhe pse me njohuri manaxheriale minimaliste në instrumenta dhe teknika. Një person që njeh vetëm aftësitë dhe teknikat, pa i kuptuar parimet e menaxhimit, nuk është një menaxher, por thjesht një teknicien.”
MatematikëKursi do të përbëhet nga leksione dhe seminare. Leksionet do të jenë të lidhura me çështje të rëndësishme të kulturës matematike të cilat janë të nevojshme për fushën Administrim Biznesit, duke u përqëndruar në temat më të nevojshme, por dhe në lidhje organike me njëra-tjetrën. Parashikohet trajtimi i disa disiplinave matematike. Qëllimi është që të përgatisë studentët të jenë të aftë për të kuptuar, interpretuar dhe zbatuar në praktikë disa elementë të domosdoshëm të matematikës. Gjatë këtij kursi, studentët e udhëhequr nga pedagogu do të fitojnë dhe reflektojnë mbi njohuritë që përbëjnë konceptet bazë të Algjebrës, Analizës dhe Propabilitetit.
Metoda Sasiore I (Statistikë I)Objektiv i kursit është ofrimi i njohurive themelore studentëve për metodat sasiore dhe pajisjen e tyre me aftësi kërkimore e profesionale në përdorimin e tyre në procesin e formulimit të problemit dhe objektivave kërkimore dhe aplikimin e teknikave statistikore në mbledhjen, interpretimin dhe analizat përshkruese, për një sektor, zonë apo fenomen të caktuar.
Shkrim AkademikKy kurs synon të njohë studentët me botën e shkrimit akademik, literaturës, sistemit të referencimit, strukturës së artikujve shkencorë. T’u mësoj të kuptojnë, interpretojnë dhe analizojnë një punim akademik shkencor. T'i njohë me llojet e ndryshme të punimeve akademike dhe metodologjitë që përdoren në përgatitjen e tyre, njëherësh t'i informojë me fazat në të cilat kalon procesi i shkrimit akademik dhe teknikat e mbledhjes së informacionit. Studentët duhet të mësojnë të zhvillojnë një temë nga një ide e caktuar, të strukturojnë një punim të shkruar, të mësojnë hapat që duhet të ndiqen në ndërtimin e një punimi kërkimor-shkencor dhe formatin që duhet përdorur.
Semestri II
Makroekonomi dhe Politikat EkonomikeNë këtë kurs, studentët analizojnë sjelljen e ekonomisë në periudhën afatshkurtër duke u ndalur në probleme të tilla si ciklet e biznesit dhe politikat e stabilizimit dhe në periudhën afatgjatë duke u fokusuar në rritjen ekonomike, normën natyrore të papunësisë dhe inflacionin. Kursi integron teoritë Kejnsianiste dhe klasike me qëllim për të kuptuar mënyrën e funksionimit të ekonomisë në periudha të ndryshme kohe dhe vendim marrjen politike.
Menaxhimi i MarketingutNë këtë kurs, studentët do të njihen me koncepte, analiza, dhe aktivitete të cilat përbëjnë menaxhimin në marketing, dhe do të kenë praktikuar vlerësimin dhe zgjidhjen e problemeve të marketingut. Kjo do të përfshijë një kuptim të procesit të marketingut – hulumtimin e tregut plus vendimmarrjen rreth produktit, shpërndarjes, promovimit dhe çmimit, të cilat së bashku përbëjnë marketingun miks. Studentët do të kuptojnë si të zhvillohet një analizë rigoroze e kompanive, konsumatorëve, konkurrentëve, bashkëpunëtorëve dhe kontekstit të përgjithshëm të biznesit, procesit të krijimit, komunikimit dhe shpërndarjes së vlerave të konsumatorit nëpërmjet marketingut miks.
KontabilitetPas përfundimit, studentët duhet të kenë një kuptim të plotë të kontabilitetit financiar dhe model raportimit dhe si ai aplikohet në organizata të ndryshme. Ndërkohë që mund të përdoren shembuj nga organizata jo-fitimprurëse dhe të sektorit publik, shembujt kryesorë dhe terma reference të lëndës do të jenë raportet aktuale vjetore të kompanive publike tregtare. Studentët duhet të kuptojnë konceptet themelore të pasqyrave financiare primare dhe rëndësinë relative të pasqyrës së të ardhurave, bilancit, deklaratave të rrjedhës së parasë dhe të fitimeve të mbartura; të gjejnë dhe përdorin informacion nga raportet vjetore për të analizuar performancën financiare dhe pozitën e kompanisë.
Metoda Sasiore II (Statistikë II)Objektiv i kursit është ofrimi i njohurive themelore studentëve për metodat sasiore dhe pajisjen e tyre me aftësi kërkimore e profesionale në përdorimin e tyre në procesin e formulimit të problemit dhe objektivave kërkimore dhe aplikimin e teknikave statistikore në mbledhjen, interpretimin dhe analizat përshkruese, për një sektor, zonë apo fenomen të caktuar.
E Drejtë BiznesiNë këtë kurs studentët do të kenë fituar një kuptim rreth koncepteve themelore ligjore dhe praktikave që qeverisin biznesin në Shqipëri dhe në mbarë botën. Studentët do të kuptojnë dallimet ndërmjet të drejtës zakonore dhe të drejtës civile, si dhe shkallën në të cilën legjislacioni i Bashkimit Evropian përpiqet t’i pajtojë të dy në rregullimin e biznesit. Do të trajtohen kompania si person juridik, përgjegjësitë korporative, kufizimi i përgjegjësive, kontratat, detyrimet e blerësit dhe shitësit, arbitrazhi, procesi gjyqësor, auditimi, patentat, markat tregtare dhe transferimet e teknologjisë.
Semestri III
SipërmarrjaKursi përfshin idenë se sipërmarrja është një qasje ndaj biznesit që është e përshtatshme për çdo organizatë, sado e madhe apo e stabilizuar të jetë. Sipërmarrja e suksesshme përfshin një kombinim të aftësive apo tipareve që zakonisht mësohen, nuk janë të trashëguara – udhëheqje, kureshtja intelektuale, të menduarit kritik, gatishmëri për të marrë përgjegjësinë dhe për të marrë rreziqe të matura me kujdes; dhe përgatitja për të dështuar, për të mësuar nga dështimi, dhe për të shkuar përpara. Kursi synon të frymëzojë studentin nëpërmjet ekspozimit të rasteve reale dhe sipërmarrësve në këto raste.
Bazat e FinancësKursi synon që studentët të përvetësojnë njohuritë thelbësore teorike dhe teknike që i nevojiten për të punuar në të ardhmen si specialist pranë departamenteve të financës së njësive ekonomike të sektorit privat, bankave të nivelit të dytë, institucioneve publike, kompanive të sigurimeve etj. Përgjatë leksioneve studentët do të integrojnë njohuritë ekonomike të fituara në vitin e parë për të kuptuar modele financiare dhe për të rritur kapacitetet për ofrimin e zgjidhjeve mbi problemet financiare të një njësie ekonomike.
Histori e Mendimit EkonomikObjektivi kryesor i kësaj lënde është të pajisë studentët me njohuri formuese mbi thelbin e ekonomisë së tregut, duke plotësuar konceptet bazë të trajtuara në lëndët e mikroekonomisë dhe makroekonomisë. Në këtë kontekst, lënda ofron njohuri të thelluara mbi kategori themelore të mendimit ekonomik si: fitimi, vlera, çmimi, kapitali, tregu monopolist, si dhe zhvillimi historik i këtyre koncepteve. Synimi është që studentët të kuptojnë origjinën, evolucionin dhe kuptimin teorik të kategorive ekonomike, nëpërmjet një qasjeje historike dhe analitike.
Etikë BiznesiKy kurs shqyrton parimet, teoritë dhe zbatimet praktike të etikës së biznesit dhe përgjegjësisë sociale të korporatave. Studentët do të analizojnë çështjet etike në kontekste të ndryshme organizative, do të kuptojnë rolet e palëve të interesuara dhe do të vlerësojnë strategjitë për menaxhimin e sjelljes etike dhe iniciativave të Përgjegjësisë Sociale të Korporatave (PSK) në një mjedis biznesi të globalizuar të fokusuar në qëndrueshmëri.
E Drejtë NdërkombëtareQëllimi kryesor i kursit është t'i pajisë studentët me njohuri gjithëpërfshirëse dhe të thelluara të së drejtës ndërkombëtare të biznesit, duke u ofruar atyre aftësi për të kuptuar dhe përshtatur me mjedisin kompleks të tregtisë globale dhe biznesit. Leximi dhe leksionet do të plotësohen nga diskutimi dhe debati në klasë duke përfshirë një gjyq të diskutueshëm në të cilin studentët argumentojnë një rast të marrë nga një shembull i jetës reale.
Semestri IV
Modele Biznesi dhe InovacioniQëllimi kryesor i këtij kursi është të aftësojë studentët në fushën e menaxhimit të inovacioneve, si një aplikim modern i teorive të menaxhimit në vlerësimin, promovimin, transferimin dhe adoptimin e teknologjive të reja në industri të ndryshme.
Biznes NdërkombëtarBiznesi ndërkombëtar ka të bëjë me të gjitha transaksionet tregtare ndërmjet dy ose më shumë vendeve. Ai përfshin aktivitete si import-eksport, ndërveprim me qeverinë, rregulla dhe kultura të huaja, si dhe normative vendase që ndikojnë në firmat që bëjnë biznes jashtë vendit të tyre. Kursi i njeh studentët me praktikat e të bërit biznes në mjedisin e sotëm global, globalizimin, trendet e tregtisë dhe investimeve, strategjinë dhe strukturën e biznesit ndërkombëtar, si dhe çështje të prodhimit, marketingut, logjistikës dhe menaxhimit të burimeve njerëzore.
Sjellje OrganizativeKursi synon formimin e studentit që të jetë në gjendje të përcaktojë parimet themelore të sjelljes organizative dhe të analizojë se si këto ndikojnë sjelljen në vendin e punës. Studentët analizojnë sjelljen individuale njerëzore të ndikuar nga personaliteti, vlerat, perceptimet dhe motivimet; elementët e sjelljes në grup, përfshirë dinamikën e grupit, komunikimin, udhëheqjen, fuqinë, politikën, konfliktin dhe negociatat; si dhe stilin individual të menaxhimit.
Analizë Biznesi II (Menaxhimi i Operacioneve)Nisur nga fakti se krijimi i produkteve dhe shërbimeve përbën arsyen kryesore të ekzistencës së çdo organizate, menaxherët duhet të njohin e kuptojnë rëndësinë e operacioneve. Menaxhimi efektiv i operacioneve krijon mundësinë e përmirësimit të të ardhurave dhe njëkohësisht mundëson që produktet dhe shërbimet të prodhohen në mënyrë më eficiente. Ky kombinim i të ardhurave më të mëdha dhe kostos më të ulët është ndër çështjet kryesore që duhen kuptuar në çdo organizatë.
Ekonomi Mjedisore dhe Ndryshime KlimatikeObjektivi kryesor është njohja dhe analiza e marrëdhënieve mjedis – ekonomi. Mjedisi është një komponent i rëndësishëm i sistemit ekonomik dhe pa të ky sistem nuk mund të funksionojë. Ekonomistët kanë filluar ta trajtojnë mjedisin si një aset dhe burim. Sipas ekonomistëve të mjedisit, degradimi i mjedisit është rezultat i dështimit të sistemit të tregut për t’i vendosur vlerën mjedisit. Ndaj mjedisi duhet të studiohet, pranohet dhe integrohet në sistemin ekonomik dhe të merret seriozisht nga ata që marrin vendime.
Semestri V
Menaxhimi i NdryshimitLënda trajton procesin e ndryshimit organizativ si një dimension thelbësor i menaxhimit bashkëkohor. Në fokus është kuptimi i burimeve të ndryshimit, modelet e procesit, diagnostikimi i nevojave, planifikimi, implementimi dhe ruajtja e ndryshimit. Studentët do të njihen me qasjet teorike dhe praktike mbi lidershipin gjatë ndryshimit, rolin e komunikimit, politikës dhe motivimit, si dhe do të zhvillojnë aftësi për të analizuar raste reale të menaxhimit të ndryshimit. Objektivi i lëndës është të pajisë studentët me njohuri teorike dhe praktike për të kuptuar, udhëhequr dhe menaxhuar proceset e ndryshimit organizativ në mënyrë efektive, etike dhe të qëndrueshme.
Analiza dhe Raportimi FinanciarKursi mbi analizën e pasqyrave financiare synon t'u ofrojë studentëve aftësitë e nevojshme për të qenë konkurrues në tregun e punës dhe të gatshëm për të marrë vendime që kanë ndikim në njësitë ekonomike ku ata do të punojnë. E veçanta e kursit lidhet me procesin e mbledhjes së njohurive nga dokumentet zyrtare financiare që kompania ka detyrimin të publikojë – pasqyrat financiare – dhe interpretimin e zërave dhe raporteve financiare në funksion të drejtimit dhe raportimit të gjendjes financiare.
Strategji BiznesiKurrikula e menaxhimit strategjik ofron trajnimin që u nevojitet drejtuesve të biznesit për të pasur sukses në këtë funksion thelbësor të biznesit. Në këtë kurs, studenti do të mësojë se si të ndërtojë një strategji dhe plan strategjik biznesi bazuar në parime të shëndosha dhe informacion të plotë. Do të zhvillojë aftësi solide vendimmarrëse dhe do të fitojë njohuri për forcat e tregut që ndikojnë në suksesin e biznesit.
Ekonomia QarkullueseObjektivi i lëndës është të ofrojë njohuri të thelluara rreth konceptit të ekonomisë qarkulluese dhe se si kjo ndryshon nga stili aktual i jetesës “ekonomia lineare” ku shumica e shoqërisë bën pjesë. Kursi synon të zhvillojë kreativitetin, të menduarit sistematik dhe punën ekipore, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi ndërveprimet midis aktivitetit njerëzor dhe dinamikës mjedisore. Në përfundim, studentët pritet të kenë aftësinë për të propozuar modele biznesi që marrin parasysh aspektet teknike, ekonomike, sociale dhe mjedisore.
Ekonomia FinanciareKy kurs shqyrton parimet ekonomike që përcaktojnë alokimin e burimeve në kohë në ekonomitë e tregut. Ai përdor marrëdhëniet e ofertës dhe kërkesës për të vlerësuar asetet kapitale ose projektet në përgjithësi. Ekonomia financiare studion sjelljen e menaxherëve të biznesit, veçanërisht arsyetimin e tyre në marrjen e veprimeve në lidhje me investimet, çmimet dhe vendimet e tjera strategjike. Lënda eksploron sesi sillen tregjet, modelet dhe aplikacionet që përshkruajnë ndarjen efikase të burimeve brenda një njësie ekonomike.
LidershipiKy kurs paraqet njëkohësisht praktikën dhe teorinë e lidershipit duke iu referuar konteksteve të biznesit dhe të jetës organizative përtej biznesit. Qëllimi kryesor është zhvillimi i lidershipit të studentëve si liderë të tashëm dhe të ardhshëm të vetes dhe të tjerëve. Filozofia e kursit thekson se shqetësimet kritike të lidershipit nuk janë vetëm çështje teknike të menaxhimit apo pushtetit, por çështje themelore të jetës.
Semestri VI
Biznes DixhitalSistemet e informacionit janë një nga mjetet kryesore në dispozicion të menaxherëve të biznesit për arritjen e përsosmërisë operative, zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve të reja, përmirësimin e vendimmarrjes dhe arritjen e avantazhit konkurrues. Studentët do të gjejnë këtu përmbledhjen e plotë të Sistemeve të Informacionit (IS) të përdorura nga firmat e biznesit. Lënda ofron një përzierje të teknologjisë së informacionit dhe koncepteve të menaxhimit për aplikimet në mjedisin e biznesit dhe është e strukturuar rreth metodës së rasteve të studimit.
Auditim i BrendshëmNë këtë kurs studenti pritet të ketë përvetësuar njohuri dhe kuptueshmëri mbi kushtet të cilat formëzojnë dhe ndikojnë në auditin e brendshëm, strukturat përkatëse dhe administrimin e biznesit në këndvështrimin organizativ. Lënda synon të krijojë njohuri për rolin e auditit të brendshëm për strukturat drejtuese në biznese apo ente publike. Studentët duhet të kuptojnë dhe zbatojnë ligje dhe rregullore sipas rasteve dhe të fitojnë njohuri për të ndërtuar vlerësim risku dhe për të zhvilluar plane auditi të brendshëm në mënyrë të pavarur.
Planifikim Biznesi & ITQëllimi i kësaj lënde është të aftësojë studentët në shkrimin e një plani biznesi në sektorin publik apo privat. Kursi jep konceptet bazë dhe hapat kryesorë që duhen ndjekur për hartimin e një plani biznesi, si dhe aftëson studentët në identifikimin e informacionit të nevojshëm, modeleve të hartimit dhe mënyrës së shkrimit të një plani biznesi.
Internship – Praktika ProfesionaleUniversiteti POLIS zhvillon bashkëpunim me disa institucione publike dhe private, të konkretizuara nëpërmjet marrëveshjeve, në të cilat studentët mund të kryejnë praktikën profesionale. Praktika profesionale zhvillohet në institucione sipas profilit të studentëve, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Internshipi/praktika mësimore është pjesë e programit mësimor dhe është e detyrueshme për t’u kryer nga studenti në vitin e fundit të studimeve, pranë një institucioni, kompanie apo studioje me veprimtari të njëjtë ose të ngjashme me programin e studimit.
Teza e DiplomësÇdo student përgatit një propozim për temë diplome gjatë semestrit. Studenti këshillohet nga një instruktor në kërkimin e tij/saj dhe pritet të shkruajë raporte të rregullta progresi në mënyrë që të diskutohen problemet dhe aspektet specifike të punës së tij/saj. Kursi përfshin asistim në përgatitjen e temës së diplomës.