APLIKIMET PËR STUDIMET KANË FILLUAR!  APLIKO

Universiteti POLIS merr pjesë në Forumin e Dytë Ndërkombëtar “BAUHAUS4EU” në Poloni

2nd_B4EU_Forum
BauHaus4EU

Universiteti POLIS merr pjesë në Forumin e Dytë Ndërkombëtar “BAUHAUS4EU” në Poloni

Universiteti POLIS mori pjesë në Forumin e Dytë BAUHAUS4EU, një ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare e organizuar nga Aleanca BAUHAUS4EU – Universiteti Evropian për Rajone Rezistente, të Qëndrueshme, Gjithëpërfshirëse dhe të Bukura. Për vitin 2026, ky forum u mikprit nga Universiteti i Ekonomisë në Katowice, Poloni, ku POLIS iu bashkua universiteteve partnere nga Gjermania, Suedia, Portugalia, Italia, Franca, Bullgaria, Greqia dhe Polonia.

Ky forum është një pikë kyçe takimi për Aleancën BAUHAUS4EU, ku objektivi kryesor ishte forcimi i bashkëpunimit midis universiteteve partnere, administratës publike, bizneseve dhe komuniteteve lokale, me qëllim mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe transformimin pozitiv të rajoneve evropiane.

Në forum morën pjesë rreth 300 pjesëmarrës, përfshirë studentë, doktorandë, staf akademik dhe administrativ, si dhe përfaqësues të institucioneve kombëtare e evropiane, partnerë socio-ekonomikë dhe autoritete rajonale e lokale. Aktiviteti shërbeu si një platformë e mirë për dialog strategjik, shkëmbim përvojash dhe zhvillim të zgjidhjeve të përbashkëta për të ardhmen e arsimit të lartë.

Pikat kryesore të forumit përfshinë:

  • Inaugurimi i hapësirës së re “Green Campus” (Kampusi i Gjelbër, në Poloni).
  • Konferencën Ndërkombëtare “Transforming Regions for a Sustainable and Beautiful Europe”.
  • Takimet zyrtare të Këshillit të Presidentëve dhe Bordit Këshillimor.
  • Seancat strategjike të punës midis partnerëve të Aleancës.
  • Aktivitetet e rrjetëzimit (networking) dhe programin e integrimit “Global Villages”, ku u prezantua diversiteti kulturor i vendeve partnere.

Për Universitetin POLIS, pjesëmarrja në BAUHAUS4EU shkon përtej një përfaqësimi të thjeshtë; ky angazhim është një mundësi konkrete për të vazhduar rrugëtimin drejt ndërkombëtarizimit dhe kërkimit shkencor të aplikuar. Ne besojmë se transformimi i rajoneve tona fillon nga idetë e përbashkëta dhe gatishmëria për të kontribuar aktivisht, krahas partnerëve tanë evropianë, drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe më të bukur.