APLIKIMET PËR STUDIMET KANË FILLUAR!  APLIKO

Universiteti POLIS mirëpret takimin ndër-rajonal të Aleancës Europiane “BAUHAUS4EU”

Poster BAUHAUS MAY 2026
BauHaus4EU

Universiteti POLIS mirëpret takimin ndër-rajonal të Aleancës Europiane “BAUHAUS4EU”

Në kuadër të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar, u zhvillua dje në ambientet e Universitetit POLIS ceremonia e hapjes së workshop-it ndër-rajonal të Aleancës Europiane të Universiteteve BAUHAUS4EU, me temë: “Inter-Regional Meeting: Education-driven Resilience”.

Ky aktivitet i rëndësishëm bëri bashkë rreth 70 pjesëmarrës nga nëntë universitete evropiane. Në takim morën pjesë Rektorë, Kancelarë, staf akademik dhe administrativ, si dhe aktorë rajonalë nga Shqipëria, Gjermania, Franca, Italia, Greqia e vende të tjera partnere të aleancës.

Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të Ministres së Arsimit dhe Sportit, Znj. Mirela Kumbaro, e cila vlerësoi kontributin e Universitetit POLIS në lartësimin e standardeve akademike. Ministrja theksoi se organizimi i aktiviteteve të këtij niveli ndërkombëtar është një hap kyç për integrimin në BE, duke vënë në dukje progresin e shkëlqyer që Shqipëria po bën në Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi) dhe Kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura), të cilët janë edhe ndër kapitujt më të avancuar drejt mbylljes në procesin e negociatave.

Rektori i Universitetit POLIS, Prof. Dr. Besnik Aliaj, në fjalën e tij vuri theksin te vizioni i universitetit, rëndësia e të qenit pjesë aktive e Aleancës BAUHAUS4EU, si dhe partneriteti me Coplan, ai lokal, rajonal, apo dhe reformat e planifikimit territorial të zhvilluara ndër vite. 

Takimi u përshëndet edhe nga Prof. Dr. Artan Hoxha, Kryetar i Konferencës së Rektorëve, i cili gjithashtu evidentoi rëndësinë e aleancave në ngritjen e kapaciteteve akademike, ndërveprimin dhe sfidat që ato mbartin për t’u kapërcyer.

Seanca e parë, e hapur dhe e moderuar nga Zv. Rektorja për Kërkimin dhe Ndërkombëtarizimin e Universitetit POLIS, Dr. Elona Karafili, u përmbyll nga Dr. Tonia Schmitz, Sekretare e Përgjithshme e BAUHAUS4EU. Dr. Schmitz prezantoi arritjet e deritanishme të aleancës dhe sfidat që kërkojnë një bashkëpunim edhe më të ngushtë me aktorët rajonalë për të siguruar rezultate konkrete dhe të prekshme për shoqërinë.

Workshop-i pritet të zhvillohet në datat 5-7 maj në ambientet e Universitetit POLIS, si dhe nëpërmjet vizitave të ndryshme në terren, jo vetëm në Tiranë por edhe më gjerë. Qëllimi kryesor i BAUHAUS4EU mbetet krijimi i një ndikimi pozitiv dhe domethënës në zhvillimin e rajoneve të përfaqësuara nga institucionet anëtare.