“The Humanist @ the Tech Table” – Gaia Tedone
2026-06-05 14:52“The Humanist @ the Tech Table” – Gaia Tedone
Në kuadër të programit “Forumet e Artit & Dizajnit”, MAD Center në Universitetin POLIS mirëpriti studiuesen, kuratoren dhe humanisten digjitale Gaia Tedone (PhD), e cila mbajti ligjëratën me titull “The Humanist @ the Tech Table”.
Gjatë prezantimit, Tedone ndau reflektime mbi rolin e humanistit në epokën e inteligjencës artificiale, duke diskutuar ndikimin e teknologjive gjeneruese në proceset e krijimit, kurimit dhe prodhimit të njohurive. Duke u mbështetur në kërkimin dhe praktikën e saj ndërdisiplinore, ajo trajtoi sfidat dhe mundësitë që sjell integrimi i inteligjencës artificiale në fushat e artit, dizajnit dhe kulturës, si edhe rëndësinë e perspektivave humaniste në zhvillimin dhe përdorimin e këtyre teknologjive.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua projektit të saj më të fundit, “The Humanist at The Tech Table”, i cili eksploron ndërthurjen e ushqimit, gjuhës dhe inteligjencës artificiale si një mënyrë për të reflektuar mbi praktikat dhe imagjinatat e reja që po formësohen në marrëdhënien mes njerëzve dhe teknologjisë.
Aktiviteti u shoqërua me diskutime dhe shkëmbime idesh me studentë, pedagogë dhe pjesëmarrës të tjerë, duke krijuar një hapësirë dialogu mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale dhe ndikimin e saj në sektorët kreativë.
Aktiviteti u organizua nga MAD Center / Galeria Gëzim Qëndro në Universitetin POLIS, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë.