PANAIRI I KARRIERËS 2026 U ZHVILLUA ME SUKSES NË UNIVERSITETIN POLIS
2026-04-24 10:00PANAIRI I KARRIERËS 2026 U ZHVILLUA ME SUKSES NË UNIVERSITETIN POLIS
Më 26 Mars 2026, në ambientet e Universitetit POLIS u zhvillua me sukses Panairi i Karrierës 2026, një traditë tashmë e konsoliduar që bashkon ofertën dhe kërkesën në tregun e punës.
Ky event mblodhi së bashku kompani vendase dhe ndërkombëtare, studentë, të diplomuar dhe profesionistë të industrisë, duke krijuar një hapësirë dinamike për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe eksplorim mundësish konkrete punësimi. Në një atmosferë mikëpritëse dhe gjithëpërfshirëse, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me potencialin e burimeve njerëzore të formuar në Universitetin POLIS dhe të forcojnë bashkëpunimin midis akademisë dhe botës së sipërmarrjes.
Gjatë aktivitetit, studentët u angazhuan në sesione të drejtpërdrejta rrjetëzimi me përfaqësues të kompanive, duke krijuar kontakte të vlefshme profesionale dhe duke u njohur me kërkesat aktuale të tregut të punës. Njëkohësisht, ata përfituan njohuri praktike mbi përgatitjen e një CV-je dhe letre motivimi, si dhe mbi mënyrën e përballjes me intervistat e punës.
Një moment i veçantë i panairit ishte Sesioni Informues me Campus France, i zhvilluar nga znj. Kleida Pira, përfaqësuese e Campus France Albanie pranë Institut Français d’Albanie – Kub France Tirana. Ky sesion ofroi informacion të vlefshëm mbi mundësitë e studimit në Francë, procedurat e aplikimit, si dhe lidhjen mes profileve akademike dhe tregut ndërkombëtar të punës. Përmes shembujve konkretë dhe simulimeve praktike, studentët fituan një kuptim më të qartë mbi proceset e rekrutimit dhe zhvillimin e karrierës në një kontekst global.
Panairi i Karrierës 2026 dëshmoi edhe një herë rolin e tij si një platformë e rëndësishme për fuqizimin e studentëve dhe të diplomuarve, duke nxitur bashkëpunimin, ndërtimin e marrëdhënieve profesionale dhe orientimin drejt një të ardhmeje të suksesshme.