NJOFTIM – PËR AKREDITIMIN NDËRKOMBËTAR INSTITUCIONAL TË UNIVERSITETIT POLIS ME QAA

POLIS University IQR badge 2
Njoftime

NJOFTIM – PËR AKREDITIMIN NDËRKOMBËTAR INSTITUCIONAL TË UNIVERSITETIT POLIS ME QAA

Jemi të lumtur të ndajmë një lajm të jashtëzakonshëm dhe tepër të veçantë për të gjithë komunitetin e Universitetit POLIS! 

Universiteti POLIS, më datë 18 dhjetor 2023, nëpërmjet Vendimit të Bordit të Akreditimit, ka marrë vlerësimin e plotë dhe pa kushte për Akreditimin Ndërkombëtar Institucional (5-vjeçar) nga QAA Global – Quality Assurance Agency, një nga dy agjencitë kryesore të akreditimit në UK – United Kingdom dhe më gjerë, antare themeluese edhe e Rrjetit Europian të Cilësisë (ENQA – European Association for Quality Assurance in Higher Education). 

Vlerësimi është realizuar përkundrejt 10 standardeve europiane të arsimit dhe kërkimit, dhe për të gjithë ata që janë të interesuar më në detaje për këtë proçes, Raporti përfundimtar i Vlerësimit të Cilësisë është i aksesueshëm në faqen zyrtare të QAA-së duke klikuar këtu: QAA International Quality Review of POLIS University.

Ky akreditim mbulon akreditimin global/ndërkombëtar sipas standardeve të shkollave të modelit anglo-sakson, si dhe akreditimin europian sipas standardeve të ENQA-s, çka është një mundësi më shumë për ndërkombëtarizimin e diplomave, një dritare dhe një horizont më i gjerë për të gjithë studentët që zgjedhin të jenë pjesë e Universitetit POLIS. Por jo vetëm pasi kjo arritje e jashtëzakonshme është një vlerë e shtuar për konfirmimin e cilësisë së mësimdhënies, kërkimit dhe administrimit të POLIS. 

Ky sukses është rezultat i përkushtimit dhe punës së përbashkët të të gjithëve në komunitetin POLIS, Ju inkurajojmë të ndani këtë lajm të mrekullueshëm me të gjithë.

Është koha të gëzojme këtë arritje, bashkë me festat e fundvitit. Nuk kishte kartolinë më të bukur për studentët e POLIS se sa kjo!