Universiteti POLIS dhe Co-PLAN: Tre dekada vizion dhe transformim akademik e urban
2026-05-08 10:10Universiteti POLIS dhe Co-PLAN: Tre dekada vizion dhe transformim akademik e urban
Universiteti POLIS dhe Co-PLAN: Tre dekada vizion dhe transformim akademik e urban
Universiteti POLIS dhe Instituti Co-PLAN shënojnë këtë vit respektivisht 20 dhe 30 vite aktivitet, duke përfaqësuar një nga modelet më të veçanta të zhvillimit akademik, kërkimor dhe urban në Shqipëri dhe rajon. Të lindura në vitet e para të tranzicionit shqiptar, këto institucione u ndërtuan mbi idenë se zhvillimi i qëndrueshëm kërkon dije, angazhim qytetar dhe bashkëpunim afatgjatë. Fillimisht përmes punës së Co-PLAN në komunitete dhe qytete shqiptare, e më pas përmes krijimit të Universitetit POLIS si një platformë akademike dhe kërkimore, ky vizion u kthye në një model që lidh natyrshëm edukimin universitar me kërkimin e aplikuar, inovacionin dhe transformimin social.
Sot, POLIS është pjesë e rrjeteve më të rëndësishme akademike europiane, si anëtar i European University Association dhe i aleancës Bauhaus4EU, duke kontribuar në një qasje të re europiane që ndërthur reziliencën, qëndrueshmërinë, inovacionin dhe dimensionin njerëzor të zhvillimit. Ky pozicionim ndërkombëtar reflekton angazhimin e vazhdueshëm për të qenë në pararojë të dijeve bashkëkohore dhe për të sjellë standardet më të larta të kërkimit shkencor në hapësirën shqiptare.
Në ceremoninë e 20-vjetorit, përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë vlerësuan POLIS si një institucion që ka arritur të krijojë ndikim real përmes arsimit, arkitekturës, planifikimit urban dhe kërkimit shkencor, ndërsa vetë institucioni vazhdon të promovojë ndërkombëtarizimin, “brain gain” dhe ndërtimin e kapaciteteve akademike në Shqipëri,duke dëshmuar se rritja cilësore vjen përmes investimit te njerëzit.
Përtej shifrave dhe përvjetorëve, rrugëtimi i Co-PLAN dhe POLIS përfaqëson sot një histori suksesi të ndërtuar mbi vizionin, bashkëpunimin dhe besimin e palëkundur se universitetet mund të jenë aktorë aktivë të transformimit të shoqërisë dhe qyteteve. Ky përvjetor shënon jo vetëm një moment reflektimi mbi arritjet e deritanishme, por edhe një zotim për të vazhduar misionin drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe inovative.
Related Posts
Search
Categories
Popular tags
















