Njësia e Brendshme e Sigurimit të Cilësisë
2024-04-03 17:54Njësia e Brendshme e Sigurimit të Cilësisë
Sigurimi i Cilësisë
Sigurimi i Cilësisë në Universitetin POLIS ka të bëjë me tërësinë e strukturave, njësive, proçeseve sistematike, proçedurave, mekanizmave dhe mjeteve të dedikuara për të vlerësuar, monitoruar dhe rishikuar performancën, identifikimin e rezultateve cilësore dhe rekomandimet për përmirësimin e njësive dhe programeve akademike. Qëllimi kryesor i sigurimit të cilësisë akademike është të sigurojë rishikim, analizim, përmirësim të vazhdueshëm në të gjitha programet akademike dhe njësitë institucionale, duke përfshirë edhe ato kërkimore, përmes një proçesi reflektimi të brendshëm, kritik dhe konstruktiv, i kryer nga personel i kualifikuar i brendshëm por padyshim edhe nga vlerësues të jashtëm.
Politika e Sigurimit të Cilësisë Akademike ka katër qëllime kryesore:
• Sigurimi i standardeve të larta akademike dhe përmirësimi i vazhdueshëm i njësive dhe programeve akademike të Universitetit POLIS.
• Të vendosë parimet, objektivat, proçedurat, strukturat kryesore dhe të standardizojë procesin e vlerësimit të njësive dhe programeve akademike.
• Dokumentimi dhe komunikimi i rezultateve të kryera gjatë proçeseve të sigurimit të cilësisë akademike.
• Të sigurohet që të gjitha njësitë dhe programet akademike në Universitet i nënshtrohen Politikës së Sigurimit të Cilësisë
Njësia e Brendshme e Sigurimit të Cilësisë
Bazuar në nenin 67 të Statutit të Universitetit POLIS, njësia kryesore përgjegjëse për proçeset dhe proçedurat e vlerësimit dhe sigurimit të cilësisë në U_POLIS është Njësia e Brendshme e Sigurimit të Cilësisë (NJBSC).
NJBSC është përgjegjëse për proçeset dhe proçedurat e vlerësimit të brendshëm të të gjitha aktiviteteve akademike (mësimdhënie dhe mësimnxënie, programe studimi), kërkimore, menaxheriale dhe administrative që zhvillohen në POLIS. Mekanizmat dhe instrumentet e aplikuara nga NJBSC-ja lejojnë një përfaqësim dhe përfshirje të plotë të të gjitha grupeve të interest (stafi akademik, studentët, alumni, organet vendimmarrëse, administrata, përfaqësues nga komuniteti i biznesit).
Njësia e Brendshme e Sigurimit të Cilësisë (NJBSC) funksionon në përputhje me përcaktimet e ligjit për arsimin e lartë në fuqi, aktet nënligjore, udhëzimet përkatëse të Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë së Arsimit të Lartë si dhe Statutin dhe Strategjinë e Universitetit POLIS.
Proçedura dhe mekanizmi kryesor për vlerësimin e cilësisë si në nivel institucional ashtu edhe për programet e studimit të ofruara nga U_POLIS është rishikimi i cilësisë (rishikimi institucional dhe/ose i programit, ose kombinimi i të dyjave).
Proçesi i rishikimit kryhet në përputhje me standardet e mëposhtme:
• Proçesi duhet të jetë i drejtë, i paanshëm, i hapur, transparent dhe i informuar.
• Përfshirja e drejtuesve, fakultetit, departamentit, stafit dhe studentëve është vendimtare dhe kritike.
• Rishikimet institucionale dhe programore duhet të përfshijnë kolegë/ekspertë që janë të jashtëm në universitet dhe të cilët janë përzgjedhur sipas kritereve specifike dhe të informuara në mënyrë të drejtë dhe transparente.
• Dokumentet e rishikimit duhet të jenë koncize dhe lehtësisht të kuptueshme, pa barrë të tepërt formale dhe burokratike për ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në proces.
• Njësitë, personeli përgjegjës dhe aktorët e tjerë të përfshirë në proçeset e rishikimit janë përgjegjës për të siguruar që rishikimet e sigurimit të cilësisë akademike të kryhen në përputhje të plotë me proçedurat dhe rregulloret e brendshme të miratuara brenda afateve të përcaktura në planin e punës.
• NJBSC është përgjegjëse për të siguruar që të gjitha rishikimet e programeve të ndjekin proçesin e sigurimit të cilësisë akademike në përputhje me proçedurat në mënyrë të përshtatshme dhe të qëndrueshme, si dhe k
• rahasimin e gjetjeve dhe rezultateve të grumbulluara.
NJBSC-ja raporton pranë organeve të larta drejtuese akademike dhe vendimmarrëse administrative, por është një njësi e pavarur për sa i përket funksionimit, proçedurave që ndjek dhe rezultateve që prodhon. Organizimi, detyrat, përgjegjësitë dhe veprimtaritë e NJBSC-së përcaktohen në Rregulloren e NJBSC-së, e cila miratohet nga Senati Akademik. Në kuadër të Standardeve dhe Udhëzimeve Evropiane, veçanërisht në përputhje me Standardet I.2, I.3, I.4, I.5, I.6 dhe I.7, NJBSC synon të nxisë më tej aspektet e mëposhtme:
1. Miratimi, monitorimi dhe rishikimi periodik i programeve (Standard I.2 -Pjesa 1, ESG_2015)
• Të sigurojë që të gjitha programet e studimit të ofruara nga POLIS i nënshtrohen një proçesi të rregullt dhe ciklik miratimi institucional;
• Të sigurohet që struktura dhe përmbajtja e programeve të kenë rezultate të qarta të të nxënit;
• Të sigurojë që programet të jenë të dizajnuara në mënyrë të tillë që të mundësojnë edukim të kuptueshëm dhe të qartë për studentët;
• Të sigurojë që POLIS krijon bashkëpunime me palët e treta që studentët e diplomuar të kenë mundësi punësimi;
• Të sigurojë që strategjia e ndërkombëtarizimit të universitetit POLIS dhe fakultetit zbatohen në programet e studimit duke përfituar ekspertizë të jashtme dhe ndërkombëtare.
2. Të nxënit, mësimdhënia dhe vlerësimi me në qendër studentin (Standardi I.3-ESG_2015);
• Sigurohet që programet të jenë të dizajnuara të ofruara në një mënyrë që inkurajon studentët;
• të marrë një rol aktiv në proceset mësimore ku vlerësimi dhe rezultatet e studentëve reflektojnë këtë proçes;
• inkurajon ndjenjën e autonomisë tek studenti, duke siguruar udhëzime adekuate dhe mbështetje nga pedagogu;
• respekton dhe përshtatet me diversitetin e nxënësve dhe nevojat e tyre, duke mundësuar të nxënit fleksibël nëse është e nevojshme;
• proçedurat e vlerësimit duhet të përfshijnë përdorimin dhe përshtatjen e një sërë metodash pedagogjike dhe mënyrave fleksibël dhe efektive të ofrimit gjatë procesit të mësimdhënies.
3. Monitorimi i vazhdueshëm dhe rishikimi periodik i programeve
• Programet e studimit duhet t’i nënshtrohen rishikimit ciklik. Si rregull, kurrikula dhe përmbajtja rishikohet çdo 2 (dy) vjet, por të paktën në fund të çdo cikli të plotë studimi;
• Rishikimi i programeve është i përfshirë në punën vjetore të fakulteteve/departamenteve përgjegjëse për secilin program;
• Ciklet dyvjeçare përfshijnë kërkesa të brendshme dhe të jashtme për sigurimin e cilësisë, në përputhje me ligjet dhe rregulloret, kërkesat e përgjithshme për sigurimin e cilësisë të formuluara nga POLIS dhe kërkesat e brendshme për sigurimin e cilësisë të miratuara në nivel fakulteti/programi.
• Vlerësimet ciklike për rishikimin e kurrikulave i shndërrojnë rezultatet e punës së sigurimit të cilësisë në aktivitete vijuese;
• Vlerësimet ciklike të raporteve të programeve janë kryesisht të sinkronizuara me të gjitha pjesët e proçesit të sigurimit të cilësisë dhe punën e vazhdueshme me programet e studimit;
• Vlerësimi i proçesit të mësimdhënies realizohet sipas udhëzimeve të përkatëse në POLIS. Ky proçes përfshin vlerësimin sistematik në fund të çdo semestri nga studentët për të gjitha lëndet e ofruara në secilin program studimi. Me qëllim ndjekjen e këtij proçesi si dhe sigurimin e një pjesëmarrjeje sa më të lartë të studentëve koordinatorët e programeve luajnë një rol të rëndësishëm. Së fundmi kjo procedurë përmbyllet me një raport të posaçëm nga ana e drejtuesve të departamenteve/fakulteteve duke dhënë komente mbi vlerësimin e studentëve gjatë çdo semestri.
Kliko këtu për të lexuar më shumë rreth Njësisë së Brendshme të Sigurimit të Cilësisë (NJBSC)
Anëtarët e Njësisë së Brendshme të Sigurimit të Cilësisë (NJBSC) bashkëpunojnë me stafin dhe njësite e tjera për të mbështetur proçeset për sigurimin e cilësisë së ofruar në të gjithë Universitetin. Këtu përfshihen këshillimi mbi politikat dhe rregulloret e Universitetit, mbështetjen e zhvillimit/rishikimit të programeve si dhe mbështetja ndaj këshillave ad-hoc ose jo me tematika të ndryshme brenda Universitetit POLIS.
Kryetare e Njësisë së Brendshme të Sigurimit të Cilësisë:
Dr. Manjola Hoxha
Anëtarët e tjerë të NJBSC-së:
Dr. Merita Guri – Anëtar
Dr. Kejt Dhrami – Anëtar
Dr. Emi Hoxhalli – Anëtar
MSc. Edmond Agolli – Anëtar
MSc. Anjeza Dajzmaili – Anëtar
MSc. Anila Zeqo – Anëtar (përfaqësues nga komuniteti i biznesit)
MSc. Orgejda Doda – Anëtar (përfaqësues i studentëve)
MSc. Gjergji Dushniku – Anëtar (përfaqësues nga komuniteti Alumni)