Mirëseardhja e Rektorit

Mirëseardhja e Rektorit

Të nderuar vizitorë të faqes sonë,

Shoqëria shqiptare sot përballet me disa sfida madhore, ku edukimi i brezave të rinj dhe promovimi i shkencës dhe inovacionit janë motorë jetikë të stabilitetit dhe progresit social, ekonomik dhe politik. Në këtë kontekst dinamik dhe gjithmonë e më kompleks, pas 3 dekadash performance të suksesshme të origjinës sonë institucionale “Institutit Co-PLAN”, dhe gati dy dekada funksionim të Universitetit tonë, tashmë mund të themi pa asnjë hezitim se POLIS gëzon në opinionin publik reputacionin e një institucioni cilësor arsimor-kërkimor, i cili është i mirë-fokusuar dhe ka vizionin e statusin plotësisht të merituar “Universitet”!
Ne përfaqësojmë kështu si institucion, në një mënyrë ose tjetrën, historinë e transformimeve dramatike që kanë ndodhur në Shqipërinë moderne që pas rënies së Murit të Berlinit.
U_POLIS është në vetvete një sinergji konstruktive midis shoqërisë në tërësi, institucioneve publike, sipërmarrjes private dhe nje “pool-i” ekspertësh idealistë; sinergji e cila ka promovuar një model alternativ të pavarur për arsimin dhe kërkimin shkencor në kushtet specifike të Shqipërisë, e cila synon një vizion integrimi me komunitetin e vendeve të zhvilluara evropiane. 

besnik-aliaj

Prof. Dr. Besnik Aliaj   |   Rektor U_POLIS   |   Tiranë, Albania

Në POLIS ne besojmë fort se procesi i edukimit është mision, është përgjegjësi sociale, dhe një përpjekje e përbashkët e shoqërisë, ku natyrisht ne si institucion akademik-këkimor kemi përgjegjësin kryesore! 
Frymëzimi, hulumtimi, thellimi, të menduarit pozitiv dhe sfida ndaj realitetit, janë disa nga principet kryesore ku ne mbështetemi në procesin e edukimit. Krahas aktivitetit akademik, U_POLIS zhvillon denjësisht edhe kërkim shkencor dhe aplikativ; aktivitete të konsulencës, zhvillimit e inovacionit; aktivizëm social dhe nisma me interes publik. Në fakt POLIS është një universitet thellësisht alternativ, sidomos prej origjinës dhe trashëgimisë që ka nga lëvizja profesionalo-qytetare e Co-PLAN; lëvizje që sot bashkë me POLIS synon të sjellë një frymë të re në profesionet e artit, dizjanit dhe arkitekturës; shkencave të inxhinierisë; si dhe të ekspertizës së zhvillimit të vendbanimeve dhe të territorit. Jo rastësisht shpesh kemi qënë pjesë aktive e ekipeve për hartimin e reformave të zhvillimit në vend.  

Në POLIS ne sjellim së bashku në një të vetme tre komponente themeltare: kreativitetin, teknologjinë, dhe shpirtin e sipërmarrjes dhe lidershipit. Për këtë qëllim POLIS ka dizenjuar një “menu” të pasur, por të fokusuar, programesh dhe specialitetesh akademike në të 4 nivelet e spektrit edukues (profesionale-postsekondare, universitare bachelor dhe master, dhe pasuniversitare-doktorale). Këto programe ofrohen si me kohë të zgjatur edhe të plotë, duke ju përshtatur nevojave të studentëve, shoqërisë dhe institucioneve. Universiteti POLIS është nënshkruesi i parë e “Kartës së Bolonjës” në vend, dhe ka kaluar me sukses të gjitha testet dhe vlerësimet e konformitetit ligjor dhe të cilësisë. Është ndër institucionet e pakta të arsimit të lartë në vend që ka plotësuar me sukses dhe në afat të gjitha procest e akreditimit instititucional dhe programor brenda vendit, dhe tashmë ka edhe akreditime në nivel ndërkombëtar (QAA). Ne kemi patur dhe kemi diploma të përbashkëta dhe standard respektiv me disa universitete evropiane, dhe një program ndërkombëtar unikal doktoral si “diplomë e dyfishtë”.

Përveçse në rajon dhe në vend, POLIS ka një njohje mjaft të mirë dhe ndërkombëtare, dhe është anëtarësuar ndërkohë në mjaft rrjete universitare e profesionale evropiane të fushave ku operon. Krahas anëtarësimeve, kemi marrëveshje e partneritet të prekshëm me institucione të shquara evropiane, përfshi programe dhe projekte të përbashkëta. Ne kemi një partneritet tashmë historik me Universitetin e Ferrarës dhe Sapienzës, Itali, IHS-Erasmus University Rotterdam në Holandë, Universitetin e Minhos, Portugali, Politeknikun e Bratislavës në Sllovaki, Bauhaus-Anhalt University, Gjermani, dhe një rrjet partnerësh e kontaktesh në Ballkan, në vendet e tjera të BE-së, në USA dhe në Kinë.

Për të mundësuar objektivat e veta dhe misionin e tij, POLIS synon të krijojë një lidership të qartë profesional e qytetar për shkencat e qytetit dhe territorit, gjë që mundëson hapësira sa më të jetueshme; qytete më të barabarta dhe territor më të qëndrueshem në kohë; si dhe një shije e estetikë publike që edukon vetë shoqërinë. Fokusimi i shkollës është një armë e fortë e jona. Ndërkohë stafi akademik dhe kërkues në U_POLIS nuk pretendon kurrë se njeh “të vërtetën absolute”, por modestia dhe pavarësia e tyre respektohet në maksimum nga komuniteti studentor. Në konceptin tonë të përbashkët, pedagogu i mirë është një ndërmjetës me përvojë midis studentit dhe të vërtetës, gjë që secili e zbulon sipas mënyrës së tij, e natyrisht, me ndihmën profesionale të ekipit tonë të kualifikuar. Dhe kjo nuk është rastësore: sot 1/3 e stafit në POLIS janë staf ndërkombëtar, 1/3 janë staf i diplomuar në universitete nga më të mira të BE-së dhe Amerikës së Veriut, ndërsa pjesa tjetër përfaqëson absolutisht traditën dhe ekspertizën më të mirë vendase, në fushat tona të interesit! Kjo sinergji ka dhënë rezultat! Por ne mbetemi të hapur maksimalisht ndaj koncepteve dhe ideve të reja, alternative dhe sa më bashkëkohore.

Kjo është arsyeja pse studentët dhe kërkuesit në Universitetin POLIS vijnë me frymëzimin për të ndryshuar dhe përmirësuar “botën” dhe janë të gatshëm për të eksperimentuar me idetë e tyre. Është detyra jonë t’i lëmë krah të lirë kësaj imagjinate dhe t’i lehtësojmë më tej për të kapërcyer barrierat konceptuale e kulturore. T’i stimulojmë që të kapërcejnë në një dimension të ri e të panjohur drejt ndërkombëtarizimit dhe ekspozimit global, i cili nxit aftësitë e tyre eksploruese profesionale dhe kreativitetin pa kufij. Këta studentë dhe kërkues  sjellin me vete sfondin kulturor nga kontekste të ndryshme të të gjitha rajoneve të Shqipërisë, të rajonit Ballkanik, apo edhe nga vende të tjera.

Sa i takon infrastrukturës, POLIS është vendosur në një kampus kompakt i cili çon edhe më përtej konceptin e Polis-it si një “qytet brënda qytetit” dhe “qytet brënda ndërtesës”. Në këtë kampus ne kemi shumëfishuar sipërfaqen mësimore, sikurse kemi shtuar hapësira publike dhe lehtësira të tjera në një object infrastrukturor që përbën një origjinalitet për konceptimin pragamtik të arkitekturës, eficiencës energjitike dhe konstruksionin e shkollave në përgjithësi. Nuk mund të ishte ndryshe pasi në këtë projekt të studios sonë “Metro_POLIS” është derdhur dashuria, fantazia, energjia e mirë e stafit dhe e studentëve që nga konceptimi në projektim, e deri në zbatim. Çdo detaj në POLIS, duke filluar që nga ambientet dhe fryma që u përçohet studentëve, përfshirja në eksperienca ndërkombëtare, përzgjedhja e stafit vendas e të huaj, praktikat mësimore, përbëjnë një katalizator të diversitetit dhe lirisë së mendimit.

Strategjia e zhvillimit të Universitetit tonë është e ndërtuar pikërisht mbi angazhimin për rritjen e cilësisë akademiko-kërkimore, ndërkombëtarizimin, dhe fokusimin në zhvillim e inovacion. Këto përpjekje mbështeten nga kërkimi shkencor sidomos programi Doktoral; organizimi i bienaleve ndërkombëtare te arkitektures (TAW ) dhe dizajnit (TDW); Ditët e Tokës dhe Mjedisit; Hackathons e Bootcamps për teknologjinë dhe sipërmarrjen; Aktivitetet sociale-kultorore-sportive, etj. Ngritja e njësisë së botimit POLISPress apo e njësisë “IF-Innovation Factory”, me një sërë laboratoresh në konsolidim; shkëmbimi i njohurive me pedagogë, studiues e akademikë të cilët vijnë nga universitetet partnere në Evropë dhe SHBA; ekspozimi semestral i studentëve në vende të BE-së, përmirësimi periodik i programeve akademike; dhe lidhjen me teknologjitë inovatore për t’iu përgjigjur nevojave të tregut të punës e sfidave të shoqërisë, etj, janë arritje të drejtepërdrejta, sidomos të sinergjisë midis themeluesve, drejtuesve, dhe Njësisë sonë të Projekteve, që është  një nga qëndrat e ekselencës në vend për zhvillim, mobilizim, financim dhe zbatim e raportim të projekteve Evropiane (Erasmus, Horizon, Creative Europe, IPA, EU4Innovation, etj) dhe bilaterale (me Itali, Austri, Holandë, Gjermani, etj).

Është sfida jonë që të mbajmë lart shpirtin qytetar dhe atë krijues të stafit akademik e kërkimor, dhe të studentëve tanë në çdo fushë të studimit në Universitetin POLIS. Është sfida jonë që të jemi pjesë reale dhe e dobishme e shoqërisë. Jo rastësisht kurba jonë e zhvillimit institucional dhe “enrollments” nuk kanë patur volatilitet, por vetëm stabilitet dhe ngjitje inkrementale e të kujdesshme për të qënë sa më të qëndrueshëm dhe rezilient ndaj sfidave të zhvillimit lokal e global.

Ndërkohë që ju ftojmë edhe ju të bëheni pjesë e kësaj hapësire të lirë për mendim. Ju ftojmë të ndajmë së bashku përgjegjësinë sociale që na karakterizon dhe dallon.

POLIS nuk është një hapësire vetëm për ata që kanë mundësi, por një mision për të identifikuar cilësinë dhe talentin, përtej sfondit kulturor ekonomik dhe politik nga vijmë secili prej nesh!