FJALA E REKTORIT TË PROF. DR. BESNIK ALIAJ NË CEREMONINË E DIPLOMIMIT 2022-2023
2023-11-23 10:15FJALA E REKTORIT TË PROF. DR. BESNIK ALIAJ NË CEREMONINË E DIPLOMIMIT 2022-2023
Të nderuar pjesëmarrës,
në këtë Ceremoni të Diplomimit të degëve Arkitekturë, Art-Dizajn, dhe Inxhinieri Ndërtimi (Fakulteti FADI) për vitin 2023 …
Sot është një ditë e veçantë për studentët tanë që pas pak do të diplomohen, dhe konsiderohen më tej si POLIS-Alumni, e si koleget tanë.
- Por natyrisht, kjo është një ditë mjaft domethënëse edhe për familjarët e tyre, që kanë investuar dhe sakrifikuar ndër vite, me dëshirën më të sinqertë e plot përkushtim, që t’i shohin fëmijët e tyre të ecin para.
- Kjo është një ditë mjaft e gëzueshme edhe për familjen e madhe të Universitetit POLIS – sepse pas 5 viteve pune intensive dhe të përditshme, dhe jo pa lodhje – të shohin në përfundim që po materializohen frytet e një pune që kërkon shumë durim, pasion, profesionalizëm dhe përkushtim. Eshtë pikërisht kjo punë që ka të bëjë direkt me kontributin e stafit për të ardhmen e shoqërisë dhe vendit.
Dhe meqë hapa këtë temë, më duhet të them se mjedisi ku të gjithë operojmë nuk ka qenë më i lehtë. - Bota sot ka hyrë në një fazë turbulencash shqetësuese, ku nuk mungojnë as krizat dhe as retë e luftërave rajonale.
- Zhvillimi i shoqërisë globale sot ka hyrë në udhën e mungesës së sigurisë dhe stabilitetit. Vetë vendi po vuan nga mungesa e besimit tek institucionet dhe vendimmarrësit.
- Rënia demografike, si dhe emigrimi i rinisë e trurit, janë bërë një problem shqetësues real dhe në rritje.
- Stabiliteti politik, social dhe ekonomik i vendit është prej kohësh gjithashtu në turbulencë dhe mbetet për të parë se si do shkojë përfundimi i një sërë reformash të nisura prej vitesh.
Sidoqoftë, përtej këtyre sfidave, por edhe paragjykimeve lokale, ne në POLIS besojmë fort se çdo krizë sjell edhe shanse dhe mundësi të reja për çdo vend, shoqëri dhe institucion. Ndërkohë që, nuk mund të mohojmë as faktin se vendi sot ka një ndryshim radikal, nga ai që trashëguam 3 dekada më parë, edhe pse pritshmëritë dhe kërkesat tona janë të larta.
Prandaj POLIS e ka shfrytëzuar këtë situatë komplekse për mirë, dhe si një moment për t’u vetë-reformuar dhe vete-përmirësuar më tej, duke rritur shërbimet, standardet dhe cilësinë në institucion. - Sot gjej vendin të falënderoj 2 administratorët e POLIS, si atë të “Bordit Themelues” dhe të Universitetit, respektivisht Prof. Sotir Dhamo dhe Z. Aurel Plasa. Falë tyre kemi mundësuar të garantojmë financa kreative dhe asete të qëndrueshme, për të investuar në dyfishimin e kampusit dhe te godinave; si dhe kemi investuar për akreditimin ndërkombëtar të institucionit me agjencinë ndërkombëtare britanike të cilësisë QAA; vlerësim që sapo ka përfunduar, ndërsa po pritet me kureshtje që të shpallet publikisht rezultati përfundimtar brenda dhjetorit 2023.
- Dua të falënderoj sot gjithashtu Zv. Rektoret tona të nderuar Prof. Elona Karafili dhe Prof. Merita Toska, Dekanin e Fakultetit Prof. Ledian Bregasi; Drejtuesen e njësisë se cilësisë Dr. Manjola Hoxha; Njësinë e PR dhe Regjistrimeve, Sekretarinë mësimore, etj, për kontributin e jashtëzakonshëm në administrimin e përditshëm dhe lidershipin konstant gjatë procesit mësimor, kërkimit shkencor dhe inovacionit.
- Mirënjohje shefave të departamenteve, koordinatoreve të programeve, si dhe gjithë stafit akademik e administrativ për punën e palodhur dhe marrëdhëniet e shkëlqyera me gjithë komunitetin studentor. Pa ndihmën e tyre cilësore sot nuk do të ishim këtu.
Natyrisht, askush nuk është perfekt, por sidoqoftë ne jemi përpjekur vazhdimisht të bëjmë më të mirën, të dëgjojmë komentet e studentëve dhe të institucioneve monitoruese të fushës, dhe sot ja kemi arritur bashkë kësaj dite që rrezaton plot shpresë dhe gëzim për të gjithë.
Falenderoj nga zemra studentët tanë që do të diplomohen sot. - Për besimin që dëshmuan te POLIS, nga dita e parë deri sot.
- Për përkushtimin e tyre të madh, me dhe pa orar, gjë që është një kulturë tipike e POLIS, në ndryshim nga shumica e IAL-ve në vend.
Urime kolege të dashur. Ju sot ja keni dalë! …
Por më duhet t’ju kujtoj se realiteti që do të përballeni kudo që të shkoni: në Shqipëri, në Europë apo në Botë, do të jetë edhe më i vështirë. Madje larg vendit dhe familjes, do të jetë edhe më i vështirë e më kompleks.
Pavarësisht kësaj, unë sot dua t’ju rikujtoj ADN-në e POLIS, që ju tashmë e mbartni me vete: - Puna, ndershmëria, serioziteti, do bëjnë gjithmonë diferencën për ju.
- Profesionalizimi, modestia e dëshira për të vijuar procesin e mëtejshëm të “nxënies” gjatë gjithë jetës, do t’u bëjnë të dallueshëm nga të tjerët.
- Intelektualizmi dhe guximi për t’u përballur e për të mbrojtur të drejtat tuaja, të komunitetit dhe të shoqërisë, do ju evidentojnë dhe shpërblejnë më tej për të merituar një vend të denjë në komunitet dhe shoqëri.
Të dashur vëllezër e motra më të vegjël, të nderuar kolegë të rinj: - Brezi i pedagogëve tuaj solli në këtë vend: pluralizmin, lirinë e mendimit e të lëvizjes, si dhe ekonominë e tregut, edhe pse me probleme e gabime.
- Detyra juaj është që të sillni demokracinë e vërtetë, lirinë e vërtetë të shprehjes, mirëqenien ekonomike e mjedisore, qëndrueshmërinë dhe reziliencën në jetën e përditshme, dhe një shoqëri që ka vend për të gjithë. Një shoqëri ku “meritokracia” dhe “dimensioni human” bashkëjetojnë dhe triumfojnë, përballë tendencave të ringjalljes së “hijeve të së shkuarës”, përmes regjimeve hibride të lustruara nga kontrolli i shoqërisë dhe i mediave. Në POLIS liria është e shenjtë. Këtë ide duhet t’a rishpërndajmë në komunitet e shoqëri si një mision të jetës.
Ne nuk presim nga ju që të jeni “mjerisht” vetëm teknicienë të mirë e të “bindur”. Ne besojmë plot inspirim se bashkë me ju kemi përgatitur në Universitetin POLIS “qytetarë të mirë, konstruktive, dhe kurajoze”, të cilët do t’i rikthejnë këtij vendi besimin tek vetvetja, si dhe pozicionimin në mesin e komunitetit të vendeve më të prosperuara.
Prandaj nga sot ju lutemi të vijoni të punoni, qoftë të pavarur apo në rrjet, që të ndizni secili një “flakë”; në mënyrë që së bashku të bëjmë “dritë”, me besimin se “drita e diturisë dhe e qytetarisë” do të na shpjerë para!
Urime! Suksese më tej!
——
Tiranë, 22 Nëntor 2023