Kurs Trajnimi mbi Monitorimin e Strukturave Inxhinierike Gjeoteknike
2024-12-10 11:51Kurs Trajnimi mbi Monitorimin e Strukturave Inxhinierike Gjeoteknike
Më 3 dhjetor 2024 u përmbyll me sukses kursi i trajnimit mbi monitorimin e strukturave të inxhinierisë gjeoteknike. Ky aktivitet u bë i mundur falë disa muajve organizimi dhe bashkëpunimi midis partnerëve: Universitetit POLIS në Shqipëri, i përfaqësuar nga Prof. Asoc. Merita Guri, PhD. Endri Duro dhe PhD. Ilda Rusi, si dhe dy prej kompanive kryesore në fushën e monitorimit dhe hetimeve gjeoteknike, SISGEO nga Italia dhe ALTEA GEOSTUDIO 2000 nga Shqipëria.
Qëllimi kryesor i kursit të trajnimit ishte prezantimi dhe ofrimi i informacionit të detajuar mbi:
- rëndësinë e metodave vëzhguese gjatë fazave të projektimit dhe ndërtimit,
- llojet e ndryshme të sistemeve të monitorimit,
- rreziqet e lidhura me zbatimin e këtyre sistemeve,
- ndikimin pozitiv në mirëmbajtjen e strukturave të inxhinierisë gjeoteknike.
Kursi i trajnimit ishte i ndarë në dy pjesë kryesore; e para përbëhej kryesisht nga leksione interesante të mbajtura nga përfaqësuesit e kompanive dhe Universitetit POLIS, ndërsa pjesa e dytë kishte një qasje më praktike ku u prezantuan studime konkrete të rasteve dhe disa nga instrumentet e përdorura u vunë në dispozicion për pjesëmarrësit për t’i vëzhguar nga afër.
Veçojmë larmishmërinë e pjesëmarrësve, si studentë, studiues të rinj, inxhinierë, përfaqësues të kompanive të ndryshme të ndërtimit dhe projektimit, duke e bërë aktivitetin interaktiv dhe tejet produktiv për të interesuarit e kësaj fushe.