Vijon bashkëpunimi për nxitjen e sipërmarrjes tek të rinjtë me projektin #INNOVET
2025-11-13 9:46Vijon bashkëpunimi për nxitjen e sipërmarrjes tek të rinjtë me projektin #INNOVET
Me partnerët Junior Achievement of Albania dhe mbështetjen e programit #EU4Innovation, Universiteti POLIS vijon angazhimin për nxitjen e kulturës së sipërmarrjes tek të rinjtë dhe forcimin e lidhjes mes arsimit dhe tregut të punës.
Në kuadër të edicionit të dytë të projektit #INNOVET, që synon të afrojë arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe atij profesional me praktikat bashkëkohore të sipërmarrjes, Universiteti POLIS mirëpriti sot një grup nxënësish dhe mësuesish nga shkollat “Sami Frashëri” në Tiranë dhe Shkolla Teknike Profesionale në Korçë.
Gjatë vizitës, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me mjediset dhe laboratorët e Universitetit POLIS, duke përfshirë laboratorët e arkitekturës, dizajnit dhe inxhinierisë, si edhe hapësirën bashkëpunuese #Mola, ku morën pjesë në një ushtrim praktik mbi ndërtimin e ideve sipërmarrëse.
Aktiviteti u pasurua edhe me bashkëbisedime frymëzuese me sipërmarrës nga komuniteti i POLIS, të cilët ndanë përvojat e tyre mbi sfidat dhe mundësitë e krijimit të bizneseve të reja, inovacionit dhe vetëpunësimit.
Në të njëjtën kohë, mësuesit që shoqëronin grupin u përfshinë në një trajnim të posaçëm mbi hartimin e projekteve zhvillimore, me fokus në ngritjen e kapaciteteve për një edukim bashkëkohor, praktik dhe të lidhur ngushtë me kërkesat e tregut dinamik të punës.
Ky bashkëpunim shënon një hap tjetër në misionin e Universitetit POLIS për të mbështetur zhvillimin e një brezi të ri të aftë për të menduar në mënyrë kreative, për të inovuar dhe për të ndërtuar karrierën e tyre mbi bazat e dijes dhe sipërmarrjes.