THIRRJE PËR ARTIKUJ

Njoftime

THIRRJE PËR ARTIKUJ

Simpozium Ndërkombëtar mbi Ruajtjen dhe Projektimin Arkitektonik dhe Urban

“QYTETE  TË REJA NË QYTETE TË VJETRA” NË SHQIPËRI

29 Maj 2025
Fakulteti për Kërkim dhe Zhvillim në Universitetin Polis, prezanton simpoziumin ndërkombëtar “Qytetet të Reja në Qytete të Vjetra”, në Shqipëri, të organizuar në kuadër të Programit Master Ekzekutiv në Restaurim, Konservim dhe Valorizim të Trashëgimisë Kulturore. Ftojmë arkitektë, urbanistë, konservues, restauratorë të trashëgimisë së ndërtuar, si dhe të gjithë të interesuarit të paraqesin kontribute në përputhje me temën e propozuar. Abstrakti i mëposhtëm i Simpoziumit përmban disa nga linjat e sugjeruara të kërkimit të cilat mund të shërbejnë si frymëzim.

Dorëzimi i Abstrakteve nëpërmjet këtij linku:
16 Prill 2025

Njoftimi i Pjesëmarrësve:
29 Prill 2025

Për pyetje dhe Info: restauro@universitetipolis.edu.al


Në 30 vitet e fundit, Shqipëria në përgjithësi, dhe Tirana në veçanti, kanë përjetuar transformime urbane të paprecedenta. Kulla të larta ndërtohen çdo ditë, duke ndryshuar si panoramën urbane, ashtu edhe formën dhe përvojën e lagjeve. Qendra e qytetit po vertikalizohet gjithnjë e më dendur dhe po zgjerohet pafundësisht nëpër peizazh. Ky zhvillim urban jo vetëm që ka fshirë ose ka dëmtuar një numër të madh strukturash të qytetit historik të dikurshëm, por gjithashtu ka ndryshuar vetë strukturën dhe imazhin e tij. Urbanizimi i pakontrolluar dhe vënia në rrezik e i qytetit nga kjo lloj rritjeje nuk është një fenomen unik për Tiranën, por një problem i vjetër modern. Qëllimi i këtij simpoziumi është të spekulojë, si nga perspektiva disiplinore ashtu edhe ndërdisiplinore, se si ky zhvillim mund të përmirësojë dhe të bashkëjetojë me trashëgiminë historike, në vend që ta kundërshtojë ose ta minojë atë.

Zhvillimi urban nuk është vetëm një problem ekonomik, por edhe epistemologjik. Urbanizimi modern nuk di ku të ndalet: ai përfshin qytetin, tokën, botën… Shekujt XVIII dhe XIX panë zgjerimin e qyteteve evropiane përtej mureve të tyre mesjetare, ndërkohë që ato ende mbështeteshin në një paradigmë formale baroke, duke e lidhur zgjerimin me qendrën. Qytetet e reja të Botës së Re, si Çikago dhe Nju Jorku, e çliruan zgjerimin urban si nga koncepti i qendrës, duke mundësuar zgjerimin si horizontal ashtu edhe vertikal, por pa injoruar marrëdhënien midis murit të rrugës dhe tokës, e cila do të fillonte të zhbëhej me utopitë e hershme moderniste. Shkatërrimi i kompleksit Pruitt-Igoe në vitin 1972 thuhet se shënoi fundin e urbanizmit modern dhe fillimin e postmodernizmit.

Prirja moderne për urbanizim total ecën paralelisht me një tendencë të dukshme të kundërt, por po aq moderne, të karakterizuar nga dashuria për të kaluarën dhe trashëgiminë historike. Në shekullin e XIX, John Ruskin dhe Viollet-le-Duc e rivlerësuan këtë trashëgimi, pa e ndarë ruajtjen e saj nga arkitektura e kohës së tyre. Camillo Sitte nxori parime artistike nga qytetet tradicionale për të planifikuar të reja. Gustavo Giovannoni, në librin e tij me titulin e goditur “Ndërtesa të Reja në Qytete të Vjetra”, të cilit i referohet drejtpërdrejt ky Simpozium, përshkroi metodologjinë e “krasitjes” që mundësonte si ruajtjen ashtu edhe përditësimin e qyteteve historike. Modernizmi i pasluftës, në kontrast me avangardën antihistorike të viteve ’20 dhe ’30, solli historinë dhe fenomenologjinë në arkitekturë për të ripërfytyruar dhe ndërtuar një arkitekturë kuptimplotë.

Duke mos i pranuar pa kritika urbanizimet aktuale si paradigma të urbanizimeve të ardhshme, por edhe pa rënë në nostalgjinë për një të kaluar të balsamosur, ky Simpozium fton kërkime që fokusohen në mënyrën se si mund të ndërtohen qytete të reja brenda qyteteve të vjetra duke ripërfytyruar ndërthurjen midis projektimit arkitektonik dhe ruajtjes. Synimi më i gjerë diskursiv është të rishqyrtojë atë që Françoise Choay e ka quajtur “kompetencë për të ndërtuar”: aftësinë tonë për të artikuluar, mes vetes dhe përmbajtjes së tyre, nëpërmjet ndërmjetësimit të trupit njerëzor, elementët, pozitivë apo negativë, të vetmuar por kurrë autonomë, të cilët, me shtrirjen e tyre në sipërfaqen e tokës dhe në rrjedhën e kohës, përfaqësojnë njëkohësisht atë që flet dhe janë të pandashëm nga ai që e dëgjon” (Choay, 172)

Mirëpresim kontributet tuaja për të kaluar një ditë të frytshme së bashku!
Në emër të grupit Organizativ:
Prof.Asoc. Skender Luarasi, Dr. Malvina Istrefaj, Rest.Ark. Marsela Plyku Demaj.