Dr. Elsa Toska

Dr. Elsa Toska

Department: Departamenti i Menaxhimit dhe Biznesit

Dr. Elsa Toska – Është diplomuar juriste në vitin 2000 pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2005, ka mbaruar studimet pasuniversitare “Master”, në Studime Europiane, pranë Rektoratit të Tiranës, ndërsa në vitin 2012 ka mbrojtur gradën “Doktore e shkencave” pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Znj. Toska ka qenë anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga muaji Nëntor 2019 deri në Shtator 2024. Po ashtu në periudhën Prill 2007 – Nëntor 2019, ajo ka punuar këshilltare juridike pranë Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, më parë ka punuar si avokate pranë studios ligjore “Boga &Asociates&KPMG” si dhe ndihmës/komisionere pranë institucionit të Avokatit të Popullit.

Krahas pozicioneve të ndryshme në Administratë Publike, që nga viti 2005, znj.Toska është përfshirë në fushën e mësimdhënies në disa universitete për lëndët e së drejtës administrative dhe kushtetuese, të së drejtës urbane dhe mjedisore. Ajo është përfshirë si trajnere e të drejtave të njeriut në një sërë institutesh trajnimi, si Shkolla e Magjistraturës, Shkolla e Avokatisë, si dhe Shkolla Shqiptare e Administratës Publike. Gjithashtu, është çertifikuar si trajnere ndërkombëtare e HELP – program i Këshillit të Europës, për edukimin e profesionistëve ligjorë me të drejtat e njeriut.

Znj.Toska është angazhuar në rolin e ekspertes me një sërë institucionesh ndërkombëtare, si OSBE- Prezenca Tiranë, Këshilli i Europës, UNDP, BE, etj. Është autore e disa artikujve shkencore dhe pjesëmarrëse në disa konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit për çështje të së drejtës kushtetuese dhe të të drejtave të njeriut.

Në Tetor –Nëntor 2009 ka ndjekur kursin për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut dhe në Maj 2009 është diplomuar në distancë nga Instituti “Raowl Wallenberg”, (Institute of Human Rights and Humanitarian Law), në Lund – Suedi, pas mbarimit me sukses të shkollës on line për të drejtat e njeriut. Në periudhën 2008-2009 ka ndjekur Shkollën e Studimeve Politike të Këshillit të Evropës.