APLIKIMET PËR STUDIMET KANË FILLUAR!  APLIKO

Nis Programi Master Ekzekutiv në Restaurim, Konservim dhe Valorizim të Trashëgimisë Kulturore për vitin akademik 2025–2026

restaurim1
Njoftime

Nis Programi Master Ekzekutiv në Restaurim, Konservim dhe Valorizim të Trashëgimisë Kulturore për vitin akademik 2025–2026

Në datën 31 Tetor 2025, në Universitetin POLIS nisi zyrtarisht Programi Master Ekzekutiv në Restaurim, Konservim dhe Valorizim të Trashëgimisë Kulturore, një program ndërkombëtar i zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Ferrarës (UNIFE), Itali.

Në ditën e parë të çeljes së programit, 12 studentë të gjeneratës së tretë nisën vitin akademik 2025–2026 me një sesion prezantues dhe orientues, i cili u zhvillua në Aula A3, në orën 13:00–14:00.

Sesioni ishte i dedikuar prezantimit të Universitetit POLIS, Fakultetit të Planifikimit, Mjedisit dhe Arkitekturës, Departamentit të Arkitekturës si dhe strukturës së kurrikulës dhe stafit pedagogjik të programit.
Pedagogët e POLIS dhe UNIFE – të pranishëm fizikisht dhe në lidhje online – prezantuan në mënyrë të shkurtër modulet didaktike dhe përmbajtjen akademike të kursit.

Gjatë sesionit, studentët u njohën gjithashtu me shërbimet universitare që do t’i mbështesin gjatë studimeve, si përdorimi i Bibliotekës, platformës Pitagora, emailit zyrtar universitar, si dhe me funksionet dhe procedurat e Zyrës Juridike dhe Sekretarisë Mësimore.

Programi Master Ekzekutiv në Restaurim u hap për herë të parë në nëntor të vitit 2022 dhe deri më sot ka diplomuar me sukses dy breza studentësh, të cilët kanë kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushën e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, në Shqipëri dhe më gjerë.

Ky program synon të formojë profesionistë të kualifikuar në fushën e restaurimit, konservimit dhe valorizimit të trashëgimisë ndërtimore dhe kulturore, duke ndërthurur përvojën akademike dhe profesionale të POLIS dhe UNIFE në një platformë bashkëpunimi europiane.