Historiku

Historiku

Tradita e arsimit të lartë në Shqipëri është kryesisht produkt i shekullit të 20-të. Sektori privat është një alternativë akoma më e re, rezultat i dy dekadave të fundit, si produkt i reformave të vazhdueshme nga fillimi i viteve 90-të deri më sot. Në këtë kontekst, ajo për të cilën U_POLIS është unik është qasja unikale dhe totalisht e shkëputur nga përvojat politizuese të periudhës së diktaturës, ku predominonte orientimi i tepruar tekniçist, ideologjizimi ekstrem, dhe së fundi bllokimi i karrierës profesionale, akademike dhe kërkimore për gjeneratat e reja të pedagogëve dhe kërkuesëve të rinj. POLIS bën një “ndarje” të qartë nga kjo traditë e hidhur – e cila për fat të keq ende rrezaton inerci në disa institucione akademike në vend – ndërkohë që njeh vlerat e vërteta të trashëgimisë kreative e arsimore në Shqipëri dhe rajon, duke i pasuruar këto vlera me eksperiencat më të përditësuara dhe me shkëmbime ndërkombëtare. Nuk është rastësi që themeluesit dhe drejtuesit akademikë/administrativë të Universitetit POLIS janë “produkt i kombinuar” i shkollave të larta më të mira në Shqipëri dhe universiteteve ndërkombëtare më me reputacion në BE dhe SHBA.

Si rezultat i kësaj pikënisje, Universiteti POLIS është produkt i “ndjenjës dhe nevojës së ndryshimit” që lindi në fillim të viteve 90-të, një karakteristikë që ai e dëshmon ende sot falë vitalitetit dhe dinamizmit të tij në përballje me kompleksitetin dhe transformimet e të sotmes. Origjina e U_POLIS zë fill me themelimin e Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit (1995), si një institut joqeveritar thellësisht profesional, por edhe si një lëvizje qytetare që lobon në favor të pjesëmarrjes së publikut në procese transparente të planifikimit e zhvillimit urban/mjedisor, në funksion të qeverisjes së mirë. Në fillim të viteve 2000, Co-Plan themeloi “Qendrën e Trajnimeve”. Në 2006, kjo qendër u shndërrua në konceptin fillestar të një Institucioni të Arsimit të Lartë (IAL), që u quajt fillimisht: “POLIS, Shkolla Ndërkombëtare e Arkitekturës dhe Politikave të Zhvillimit Urban”. Në vitin 2007, POLIS themeloi edhe “Byrone e Projektimit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë” – MetroPOLIS shpk – si një mjedis profesional që u jep mundësi studentëve dhe stafit të praktikojnë profesionin e tyre.

Aktivitetet e para akademike nisën me programin e studimit në “Arkitekturë” në vitin 2006; dhe me programin e studimit në “Planifikim e Menaxhim Urban” në vitin 2007. Shkolla u akreditua për herë të parë institucionalisht dhe në programe në vitin 2009. Pas kësaj, u hapën programe të reja studimi BSc. dhe MSc. në degët “Art-Dizajn” (2010) dhe Studime Mjedisore (2011). Gjithashtu, në 2010 u hapën gjithashtu 6 profile studimi ndërkombëtare, si Diploma të përbashkëta Master me IHS/ERASMUS University, Roterdam, Holandë. Në 2012 Qeveria Shqiptare miratoi vendimin i cili njohu dhe rriti statusin e POLIS nga “Shkollë e Lartë Universitare“ në “Universitet”. Kjo mundësoi që MASH Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të akordojë në të njëjtin vit edhe të drejtën e Universitetit POLIS për të ofruar “Studime Doktorale”. Kjo tashmë është materializuar me një Program Ndërkombëtar PhD të tipit “Diplomë e Dyfishtë” në fushat Arkitekturë dhe Planifikim Urban, program i zbatuar së bashku me UNIFE, Universiteti i Ferrarës Itali, dhe një rrjet partnerësh europianë. Kooperimi i shkëlqyer me UNIFE po zgjerohet së fundi edhe me një Program “Master Ekzekutiv” për “Restaurimin dhe Konservimin e Trashëgimisë së Ndërtuar”. Më tej, janë hapur edhe programe të reja BSc. dhe MSC. Në fushat “Inxhinieri Ndërtimi” dhe në “Shkenca Kompjuterike”; si dhe dy “Shkolla Profesionale Pas-Sekondare” në fushat e “Efiçencës Energjitike” dhe të “Mirëmbajtjes së Rrjeteve IT”. Një program master i tipit “Diplomë e Përbashkët” për MBA (Administrim Biznesi) është funksional që prej 2014, falë bashkëpunimit të ngushtë me Universitetin IPAG Paris, Francë. Tashmë po punohet edhe për hapjen e një Programi Bachelor për BBA.

Sot U_POLIS ka tre njësi të mëdha (Fakultete), nëntë njësi bazë (Departamente), dhe një njësi ndër-departamentale, e njohur si “IF, Fabrika e Inovacionit”. Ndërkohë një nga 3 njësitë e mëdha (Fakultetet) merret në mënyrë të posaçme me Kërkim-Zhvillim akademik dhe të aplikuar. POLIS ka themeluar edhe  “Njësinë e Mobilizimit dhe Administrimit të Projekteve” ku zbatohen projekte për arsimin dhe shkencën të vetë-financuara, ose të financuara nga autoritetet shqiptare, nga BE, dhe/ose donatorët bilateralë, etj. POLIS ka një administratë që funksionon në bazë të standardeve ISO-9001/2015. Ndërkohë që të gjitha programet akademike dhe vetë institucioni janë të (ri-)akredituara disa herë si në Shqipëri, por edhe në institucione jashtë vendit. Universiteti akomodon edhe: AUA, Unioni i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë; një galeri arti-multimedia (e njohur si: MAD Center); dhe një “Qëndër Ekselence” të UNECE për “Strehimin e Qëndrueshëm dhe Planifikimim dhe Zhvillimin Rezilient” (që njihet edhe si: OMB – Observatori i Basenit Mesdhetar). POLIS organizon çdo vit “Javët e Arkitekturës dhe Dizajnit”, publikon mjaft botime në kuadër të POLIS_Press, përfshi dy revista shkencore ndërkombëtare. Universiteti POLIS është një anëtar institucional dhe nënshkrues i “Kartës së Bolonjës” (Magna Carta), si dhe ka antarësim të plotë në një numër shoqatash europiane të universiteteve, në fushat e tij të interesit