Instituti Politeknik i Castelo Branco priti Forumin e Parë BAUHAUS4EU – Qershor 2025
2025-06-27 14:51Instituti Politeknik i Castelo Branco priti Forumin e Parë BAUHAUS4EU – Qershor 2025
Nga data 11 deri më 13 Qershor 2025, në qytetin Castelo Branco u zhvillua Forumi i Parë BAUHAUS4EU, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga dhjetë institucionet e arsimit të lartë që përbëjnë aleancën evropiane BAUHAUS4EU. Ky aktivitet kishte si qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e një zhvillimi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe estetikisht tërheqës në rajonet evropiane, në përputhje me parimet e nismës “New European Bauhaus” të Komisionit Evropian.
I organizuar nga IPCB (Instituti Politeknik i Castelo Branco), eventi përfshiu një program të larmishëm që u shtri në disa shkolla të institutit. Më 11 Qershor, pas sesionit hapës, u zhvillua prezantimi institucional i projektit BAUHAUS4EU, i ndjekur nga sesione tematike mbi zhvillimin territorial dhe strukturën ekonomike të rajonit, me pjesëmarrjen dhe mbështetjen e Komunitetit Ndërbashkiak të Beira Baixa (CIMBB) dhe Shoqatës së Bizneseve të Beira Baixa (AEBB). Në përmbyllje të paradites, partnerëve evropianë iu prezantua edhe projekti “Castelo Branco – UNESCO Creative Cities Network” nga Bashkia e qytetit.
Pasditja vijoi me punëtori tematike me qëllim mbledhjen e kontributeve nga partnerët rajonalë mbi nevojat vendore, ndërkohë që paralelisht u mbajt dhe një takim mes presidentëve dhe rektorëve të institucioneve partnere të aleancës.
Dita e dytë, më 12 Qershor, në Shkollën e Bujqësisë (Escola Superior Agrária), iu kushtua universiteteve evropiane, me prezantime mbi “EU Benchmarking” dhe katër tryeza të rrumbullakëta që trajtuan temat: menaxhim, komunikim, programe studimore dhe angazhim rajonal.
Dita përmbyllëse, më 13 Qershor, ishte e rezervuar për takime pune dypalëshe mes koordinatorëve të paketave të punës (WP), si dhe takime të këshillit studentor, bordit administrativ, këshillit të doktoraturës dhe këshillit akademik, për të kulmuar me takimin e përgjithshëm të koordinatorëve të projektit.
Përveç aktiviteteve të bashkëpunimit akademik, programi i Forumit përfshiu edhe iniciativa kulturore dhe sociale si një aktivitet mirëseardhjeje në perëndim të diellit, degustim të produkteve rajonale dhe një vizitë në zonën përreth.
Sipas Ana Vaz Ferreira, Koordinatore e Projektit BAUHAUS4EU në IPCB dhe Zëvendëspresidente e institucionit, “Kjo nismë përbën një mundësi të jashtëzakonshme për të promovuar rajonin tonë dhe për të theksuar pikat tona të forta tek partnerët tanë. Po ashtu, ajo na lejon të dëgjojmë aktorët lokalë për të identifikuar linja të përbashkëta veprimi që mund të nxisin zhvillimin e territorit dhe sipërmarrjeve tona. Forumet e diskutimit do të ofrojnë inpute thelbësore për hartimin e programeve të reja akademike dhe pritshmërive për vlerën e shtuar që një universitet evropian mund të sjellë në drejtim të inovacionit dhe zhvillimit rajonal.”
Pjesëmarrja e IPCB në këtë projekt evropian kontribuon në ndërkombëtarizimin e institucionit dhe krijon mundësi mobiliteti për të gjithë komunitetin akademik, duke mundësuar gjithashtu një përfshirje aktive në ndërtimin e një kampusi evropian me programe të integruara arsimore dhe kërkimore.
Aleanca BAUHAUS4EU përbëhet nga dhjetë institucione evropiane të arsimit të lartë: Bauhaus-Universität Weimar (Gjermani), Blekinge Institute of Technology (Suedi), Universiteti POLIS (Shqipëri), University of Architecture, Civil Engineering and Geodesy (Bullgari), Università degli Studi di Bergamo (Itali), University of Economics in Katowice (Poloni), University of Macedonia (Greqi), Université Lumière Lyon 2 (Francë), Université de Picardie Jules Verne (Francë), dhe Polytechnic Institute of Castelo Branco (Portugali). Së bashku, këto institucione përfaqësojnë një komunitet prej 124,000 studentësh dhe 10,000 punonjësish, që bashkëpunojnë ngushtë përmes formateve novatore për të formësuar të ardhmen e arsimit, mësimdhënies, kërkimit dhe inovacionit në Evropë.
Forumi i Parë BAUHAUS4EU shënoi një moment të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes institucioneve partnere, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe zhvillimin e strategjive të përbashkëta për të përballuar sfidat e arsimit të lartë në Evropë.