APLIKIMET PËR STUDIMET KANË FILLUAR!  APLIKO

Forum “Drejtësia Mjedisore”

Poster - Drejtesia mjedisore
Njoftime

Forum “Drejtësia Mjedisore”

🎓 Forum mbi Drejtësinë Mjedisore në Universitetin POLIS: Roli i gjykatave në mbrojtjen e të drejtave mjedisore

Më datë 23 maj 2025, në ambientet e Universitetit POLIS u zhvillua forumi me temë “Drejtësia Mjedisore – Roli i gjykatave në mbrojtjen e të drejtave mjedisore”, një aktivitet që solli në qendër të vëmendjes sfidat dhe mundësitë që lidhen me zbatimin e ligjit për mbrojtjen e mjedisit përmes sistemit gjyqësor.

Forumi u moderua nga Dr. Elsa Toska, e cila prezantoi rëndësinë e temës dhe ftoi pjesëmarrësit në një diskutim të hapur. Prezantimi kryesor u mbajt nga Elvana Cicolli, e cila trajtoi në mënyrë gjithëpërfshirëse rolin e gjykatave në mbrojtjen e standardeve mjedisore, duke analizuar kuadrin ligjor ekzistues, praktikat aktuale dhe boshllëqet që ende ekzistojnë në zbatimin e drejtësisë mjedisore në Shqipëri.

Në fokus të diskutimeve ishin të drejtat e individëve, organizatave jo-fitimprurëse dhe gazetarëve për të pasur akses në informacionin mjedisor dhe për të ndjekur rrugën ligjore në rast refuzimi nga autoritetet publike. U theksua se, pavarësisht garancive ligjore, në praktikë hasen vështirësi të shumta për të siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale.

Gjithashtu, një pjesë e rëndësishme e forumit iu kushtua sfidave në vërtetimin e dëmit mjedisor, sidomos në rastet penale dhe administrative, ku nevojitet bashkëpunim i ngushtë midis juristëve dhe ekspertëve të fushës së mjedisit. U nënvizua se ekspertiza shkencore luan një rol thelbësor në ofrimin e provave të besueshme dhe në ndihmën që u jep gjykatave për të marrë vendime të drejta dhe të informuara.

Pjesëmarrësit kontribuan me pyetje, komente dhe reflektime mbi situatën aktuale dhe rëndësinë që ka forcimi i drejtësisë mjedisore për të garantuar një zhvillim të qëndrueshëm dhe respektim të të drejtave themelore të qytetarëve.

Ky forum përforcoi rolin e Universitetit POLIS si një hapësirë debati dhe reflektimi për çështje me rëndësi të lartë publike dhe si një nxitës i dialogut ndërdisiplinar mes profesionistëve të së drejtës, mjedisit dhe shoqërisë civile.