FKZH

FKZH

Fakulteti për Kërkim dhe Zhvillim ka si mision orientimin e të gjithë universitetit drejt strategjive dhe tematikave kërkimore ndërdisiplinore dhe specifike, në nivel shkencor dhe aplikativ.

Kërkimi shkencor udhëhiqet nga Departamenti i Kërkimit Shkencor, i cili përmban Programin e Doktoraturës në Arkitekturë dhe Planifikim Urban me diplomë të dyfishtë me Universitetin e Ferrarës, si dhe Masterin Ekzekutiv të Restauros në bashkëpunim po me Universitetin e Ferrarës. Aktiviteti kërkimor zhvillohet në nivelin programor brenda fakultetit dhe ndër-programor dhe ndërdisplinor, në bashkëpunim me departamentet dhe programet e tjera të universitetit.

Kërkimi aplikativ udhëhiqet nga Departamenti i Kërkimit të Aplikuar, i cili fokusohet në ndërthurjen e praktikave të eficiencës së energjisë dhe teknologjive të informacionit nga njëra anë me artifakte dhe praktika arkitektonike, urbane, dhe të trashëgimisë kulturore nga ana tjetër. Ky department përmban edhe dy programe profesionale, atë të Eficiencës së Energjisë dhe të Mirëmbajtjes së Rrjeteve Kompjuterike.

Në përputhje me Statutin e U_POLIS dhe Rregulloren e Përgjithshme, stafi vepron në liri të plotë dhe të pavarur akademike për të ofruar cilësinë më të lartë të mësimdhënies dhe rritjen e angazhimit në kërkimin shkencor. Departamenti është njësia bazë e zhvillimit të mësimdhënies dhe të punës kërkimore-shkencore të fakultetit, i cili përfshin fusha kërkimi të përafërta dhe grupon disiplinat mësimore respektive.

Fakukteti për Kërkim dhe Zhvillim përmban edhe Qendrën e Burimeve dhe Informacionit, e cila angazhohet me menaxhimin dhe zgjerimin e burimeve shkencore, si dhe botimin e punës kërkimore të Universitetit në periodikë si Forum A+P dhe Seria OMB. Fushat dhe tematikat kërkimore hartohen nëpërmjet një diskutimi gjithëpërfshirës mes deparrtamenteve dhe stafit të universitetit, nëpërmjet një konsultimi aktiv me aktorët e kërkimit shkencor brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet një kërkimi dhe përditësimi aktiv dhe të përhershëm mbi praktikat dhe interesat kërkimore ndërkombëtare si dhe konteksteve kombëtare ku këto praktika mund të zbatohen.