DITA E HAPUR – Doktoraturë Ndërkombëtare në Arkitekturë dhe Planifikim Urban
2025-06-11 10:26DITA E HAPUR – Doktoraturë Ndërkombëtare në Arkitekturë dhe Planifikim Urban

DITA E HAPUR – Doktoraturë Ndërkombëtare në Arkitekturë dhe Planifikim Urban
U zhvillua me sukses Dita Informuese mbi Programin Ndërkombëtar PhD në Arkitekturë dhe Planifikim Urban – Diplomë e dyfishtë nga Universiteti POLIS dhe Universiteti i Ferrarës
Ditën e hënë, më datë 09 Qershor 2025, në ambientet e Biblio POLIS, si dhe në formatin online, u organizua me sukses Dita Informuese mbi Programin Ndërkombëtar PhD në Arkitekturë dhe Planifikim Urban, një program i përbashkët që ofron diplomë të dyfishtë të njohur ndërkombëtarisht nga Universiteti POLIS (Shqipëri) dhe Universiteti i Ferrarës (Itali).
Gjatë këtij aktiviteti, të interesuarit për të ndjekur këtë program doktorature patën mundësinë të njihen më nga afër me strukturën akademike të programit, që është konceptuar për të ndihmuar zhvillimin e thelluar të dijes dhe kërkimit shkencor në fushat e arkitekturës, planifikimit urban dhe dizajnit të qëndrueshëm. Pjesëmarrësit u informuan gjithashtu për temat prioritare të kërkimit shkencor, të cilat përfshijnë çështje bashkëkohore dhe sfida të rëndësishme për zhvillimin e qyteteve dhe hapësirave urbane, si dhe për mundësitë që ofron programi për realizimin e pjesës së kërkimit dhe trajnimeve në të dy universitetet partnere.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua procesit të aplikimit, kriteret që duhet të përmbushin kandidatët e interesuar, si dhe mundësive për mbështetje financiare përmes bursave të ndryshme, të ofruara nga universitetet ose partnerët ndërkombëtarë. Po ashtu, u theksuan përfitimet që sjell diploma e dyfishtë, e cila u ofron studentëve një përvojë ndërkombëtare të pasur, kontakte profesionale dhe mundësi më të mëdha punësimi në nivel global.
Takimi u moderua nën kujdesin e Dekanit të Fakultetit për Kërkim dhe Zhvillim të POLIS, si dhe të Supervizores së programit, të cilët ofruan sqarime të detajuara mbi të gjitha aspektet e programit, duke iu përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve dhe duke ndarë këshilla praktike për një aplikim të suksesshëm.
Aplikimet për këtë program do të hapen së shpejti, ndaj të interesuarit ftohen të qëndrojnë të informuar për shpalljen zyrtare dhe të përgatiten për të përfituar nga kjo mundësi unike për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.