APLIKIMET PËR STUDIMET KANË FILLUAR!  APLIKO

Akreditimi

Akreditimi

Akreditim Kombëtar

Akreditimi i institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit është një detyrim ligjor i përcaktuar në Ligjin Nr. 80/2015, “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Ky proces është dinamik dhe shumëfazësh, që zhvillohet në kohë dhe përmblidhet në tre etapa kryesore:

  1. Faza e aplikimit për akreditim – përfshin shqyrtimin paraprak të aplikimit, miratimin e kërkesës, njoftimin e institucionit, etj.
  2. Faza e procesit të akreditimit – zhvillohet përmes dy proceseve kryesore:
    1. Vlerësimi i brendshëm (vetëvlerësimi): kryhet nga vetë institucioni i arsimit të lartë.
    2. Vlerësimi i jashtëm (akreditimi): kryhet nga ASCAL dhe Bordi i Akreditimit (BA).
  3. Faza e shqyrtimit dhe vendimmarrjes finale – përfshin përgatitjen e materialeve për BA, shqyrtimin dhe vendimmarrjen, publikimin e vendimit, njoftimin e institucionit dhe lëshimin e certifikatës së akreditimit që shoqëron vendimin.

Çdo institucion i arsimit të lartë është i detyruar të akreditojë programet e studimit para se të lëshojë diplomat e para për programet e reja ose para përfundimit të periudhës së parë apo periodike të akreditimit. Akreditimi i programeve të studimit mund të realizohet vetëm pasi institucioni ka përfunduar me sukses akreditimin institucional. Periudha maksimale e akreditimit është 6 vjet, pas së cilës kërkohet riakreditim.

Për më shumë informacion mbi akreditimet e Universitetit POLIS, klikoni këtu.

Akreditim Ndërkombëtar(QAA)

Universiteti POLIS është një nga institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri që ka marrë Akreditimin Ndërkombëtar Institucional nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (QAA), në Mbretërinë e Bashkuar (UK – United Kingdom). QAA është një institucion i pavaruar, lider global në sigurimin e cilësisë për arsimin e lartë, njëkohësisht antare themeluese edhe e Rrjetit Europian të Cilësisë (ENQA – European Association for Quality Assurance in Higher Education). 

Universiteti POLIS ka marrë akreditimin global pas përfundimit të suksesshëm të Vlerësimit Ndërkombëtar të Cilësisë (IQR) nga QAA.

Vlerësimi Ndërkombëtar i Cilësisë (IQR) është një proçes vlerësimi që u ofron institucioneve jashtë Mbretërisë së Bashkuar që të kenë mundësinë të vlerësohen nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (QAA) sipas standarteve të cilësisë në MB. Gjithashtu ky vlerësim, vlerëson proçeset e sigurimit të cilësisë së institucioneve kundrejt standardeve ndërkombëtare të sigurimit të cilësisë të përcaktuara në Pjesën 1 të Standardeve dhe Udhëzimeve për Sigurimin e Cilësisë në Hapësirën Europiane të Arsimit të Lartë (ESG)

Vlerësimi u zhvillua nga 2 deri më 4 Maj 2023 dhe u krye nga një grup prej tre vlerësuesish të jashtëm të caktuar nga QAA. Në përfundim vlerësuesit konfirmuan se Universiteti POLIS i plotëson të 10-të standardet e brendshme të sigurimit të cilësisë të pëcaktiara në ESG.

Grupi i Vlerësimit të QAA në përfundim të vlerësimit identifikoi disa praktika të mira të cilat aplikohen nga Universiteti POLIS:

    • ekziston një qasje formale e ndërmarrë nga institucioni për të mbështetur në mënyrë aktive praktikat jodiskriminuese në institucion, si përkundrejt studentëve ashtu edhe stafit, çka e bën atë mjaft unik në kontekstin kulturor që ai mishëron (Standardi ESG 1.1)
    • përfshirja e studentëve në hartimin e programeve (Standardi ESG 1.2)
    • mënyra se si universiteti ka krijuar një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet stafit dhe studentëve për të ndihmuar këtë të fundin të përparojë dhe rritet në aspektin akademik dhe profesional (Standardi ESG 1.3)
    • mënyra se si universiteti lidh objektivat institucionale me kërkimin shkencor (Standardi ESG 1.5)
    • larmishmëria e materialeve mësimore, dhe në veçanti pajisjet e veçanta të IT-së për të rritur mundësitë e të mësuarit për studentët me aftësi të veçanta (Standardi ESG 1.6)
    • infrastruktura, mjetet dhe materialet e tjera të specializuara të cilat ofrohen nga universiteti rrisin mundësitë e të mësuarit profesional për studentët (Standardi ESG 1.6).

Grupi i vlerësimi të QAA-së gjithashtu ka përfshirë në raport disa rekomandime për përmirësime, të cilat janë të një natyre të dëshirueshme dhe jo thelbësore. Ato propozohen për t’i mundësuar universitetit një këndvështirm për mënyrën e ndërtimit të praktikave ekzistuese të cilat funksionojnë më së miri në mënyrë të kënaqshme, por që mund të përmirësohen më tej, pasi dihet që cilësia nuk ka kufi.

Akreditimi IQR i QAA-së është i vlefshëm për pesë vjet.

Plan Veprimi Universiteti POLIS