Gastronomia

Gastronomia

“Motown” që në zanafillë u konceptua si një hapësirë jo vetëm për konsumimin e ushqimit sipas nevojave te studenteve dhe stafit, por edhe si një hapësirë ndërveprimi social, që evolon në funksionet e veta gjatë një mbulimi kohor prej 9 orësh/ditë në 5 ditë të javës (përfshirë edhe fundjavën kur ka aktivitete dhe mesim ne programet mastera, kurse te formimit LLL, shkolle profesionale, evente social-kulturore, etj). Bar/kantina ka një transparencë që lejon pamje të mrekullueshme thuajse 360 gradë të të gjithë luginës së Tiranës, ku dominojnë pamjet spektakolare nga mali i Krujës deri në malin e Dajtit, horizonti dhe kurora e gjelbër e Tiranës, kodrat e kalasë së Prezës, aeroporti Nënë Tereza apo autostrada Tiranë-Durrës, atmosfera e së cilës është edhe origjina e emërtimit MOTOWN të hapësirës në fjalë, referuar lëvizjes kulturore dhe urbanistike që shpërtheu në epokën e industrializimit dhe modernitetit të makinës fillimisht në Detroit dhe më pas në Amerikën e Veriut dhe Europë.

“Motown” siguron shërbimet e kafe/bar/snacks me një mbulimin kohor 07.00-16.30, përfshi shërbimet e vaktit të drekës në mesditë, në orarin 11.00-15.00. Ky mjedis mund të funksionoj në orë të caktuara edhe si një mjedis social, apo si hapësirë informale takimi e studimi, natyrisht në bazë të disa rregullave të caktuara për hapësirat e përbashkëta. Hapësira në “Motown” mund të shërbejë për biseda dhe shkëmbime idesh në kohën e lirë, apo për konsultime të lira, por jo për të dizenjuar projekte dhe makete. Në këtë rast do të përdoren qartësisht mjediset e dedikuara. Mjediset janë të pajisura me shërbim Wi-Fi, tv dhe radio. Mund të konsiderohet një atrium që bashkon komunitetin POLIS në tërësi.

Avancimi me shpejtësi të lartë i teknologjisë dhe përdorimi në sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe ndihmëse që përdoren në prodhimin e ushqimeve e pijeve ka imponuar një kulturë përkujdesi të stafit të Motown për të gatuar dhe shërbyer “si në shtëpi”. Kjo garanton shmangien e rreziqeve dhe sigurinë ushqimore sipas standardeve më të mira vendase dhe ndërkombëtare. Prandaj shërbimet e kontrollit në Motown përfshijnë metodat më të sigurta sipas standarteve HACCP dhe sistemit Total të Cilësisë TQS. Motown ofron në thelb shërbime me kulturën e vetë-shërbimit, mbrojtjes mjedisore dhe riciklimit, si dhe përgjegjësisë sociale. Prandaj në kantinën tonë ofrohet ushqim i përgatitur çdo ditë nga stafi me përkushtim dhe dashuri, me produkte të përzgjedhura nga kompanitë më të mira, për të siguruar jo vetëm marrjen maksimale të vlerave ushqimore, por edhe për të garantuar sigurinë e ushqimit.

Pjesë e aktivitetit të “Motown” janë edhe organizimet e konferencave, workshopeve, trajnimeve kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara nga POLIS, Co-PLAN, institucione partnere vendase dhe të huaja, shtetërore dhe private. Duke qenë se pjesa dominuese e përdoruesve të kantinës janë studentët dhe stafi akademik, stafi i kantinës është përkushtuar që të sjell një menu ku kryefjala është të ushqyerit të shëndetshëm, dhe të “edukojmë” shijet dhe mënyrën e të ushqyerit në mënyrën më të mirë të shëndetshme, specifikisht për grupmoshat e reja dhe mesme. Ndaj menuja e “Motown” është çdo ditë e ndryshme dhe e larmishme, ku nuk mungojnë supërat dhe sallatat e përditshme, ushqime tradicionale dhe ndërkombëtare, dhe në këtë rrugëtim kemi parnerët tanë prej vitesh që na ndihmojnë në përzgjedhjen e produkteve më të mira e të freskëta sezonale.