APLIKIMET PËR STUDIMET KANË FILLUAR!  APLIKO

Panele të Qëndrueshme; Riciklimi i drurit, plastikës dhe qelqit për fasadat e ventiluara

Panele të Qëndrueshme; Riciklimi i drurit, plastikës dhe qelqit për fasadat e ventiluara

Panele të Qëndrueshme

Riciklimi i materialeve të degraduara për fasada të ventiluara

Nga mbetjet drejt materialeve të reja për arkitekturën e qëndrueshme

Projekti “Panele të Qëndrueshme; Riciklimi i drurit, plastikës dhe qelqit për fasadat e ventiluara”, i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe i zhvilluar në Universitetin POLIS, synon të zhvillojë dhe testojë materiale inovative të ricikluara me potencial për përdorim në fasadat e ventiluara.

Projekti trajton një nga sfidat kryesore të sektorit të ndërtimit: si mund të transformohen materialet e mbetura ose të degraduara në produkte të reja me vlerë teknike dhe arkitektonike.

Në vend që druri, qelqi dhe plastika të trajtohen vetëm si mbetje, kërkimi synon t’i rikthejë ato në ciklin e prodhimit, duke i shndërruar në përbërës të materialeve të reja për ndërtim. Në këtë mënyrë, projekti lidh riciklimin, inovacionin material, ekonominë qarkulluese dhe arkitekturën e qëndrueshme.

AKKSHI
Ekonomi qarkulluese
Fasada të ventiluara

Përfunduar

01 — Druri i degraduar → material kompozit për fasada

Shtylla e parë fokusohet në riciklimin dhe ripërdorimin e drurit të degraduar, i cili përpunohet dhe shndërrohet në grimca me madhësi të kontrolluar.

Materiali drusor i përpunuar kombinohet me rezinë me bazë epokside dhe trajtohet me bojë zjarrduruese, me synim zhvillimin e një materiali kompozit të përshtatshëm për përdorim si panel në fasadat e ventiluara.

Procesi kërkimor përfshin grumbullimin dhe përzgjedhjen e materialit, pastrimin, tharjen, grimcimin dhe kontrollin e granulometrisë, përpara përgatitjes së përzierjeve dhe prodhimit të mostrave.

Panelet realizohen në forma dhe dimensione të kontrolluara, ndërsa performanca e tyre vlerësohet përmes një serie testesh laboratorike, duke përfshirë sjelljen ndaj lagështirës, performancën mekanike dhe rezistencën ndaj zjarrit.

Kjo shtyllë ka arritur tashmë një rezultat të rëndësishëm shkencor: kërkimi është materializuar në një botim shkencor në revistën Sustainability (MDPI), të indeksuar në Scopus Q1.

Botimin mund ta gjeni ne linkun e meposhtem:

Xhexhi, K., Nika, B., Bregasi, L., Rusi, I., Jojic, S., & Vesho, N. (2026). In Pursuit of Sustainable Ventilated Façades: Moisture Response, Mechanical Performance, and Fire Behavior of Recycled Wood Particle/Epoxy Composite Panels. Sustainability, 18(1), 226. https://doi.org/10.3390/su18010226

Në zhvillim

02 — Qelqi i ricikluar → beton i ricikluar për panele

Shtylla e dytë fokusohet në një qasje tjetër: integrimin e qelqit të ricikluar në formulimin e betonit, duke eksploruar mundësinë e zëvendësimit të një pjese të agregateve tradicionale me material të ricikluar.

Qelqi i grumbulluar përpunohet përmes thyerjes, klasifikimit dhe pastrimit, duke u reduktuar në grimca me granulometri të përcaktuar. Materiali i përpunuar përdoret më pas në formulime të ndryshme të betonit, me synim përcaktimin e përzierjeve optimale.

Kërkimi përfshin hartimin dhe testimin e recetave të ndryshme të betonit, ku qelqi i ricikluar përdoret si material zëvendësues në përbërjen e tij. Në kuadër të fazës së parë të studimit janë zhvilluar gjithashtu testime laboratorike, përfshirë Compressive Strength, Tensile Splitting Strength dhe testime të lidhura me Alkali-Silica Reaction (ASR).

Qëllimi përfundimtar është zhvillimi i një paneli kompozit me bazë betonike, me përmbajtje të materialeve të ricikluara, i cili mund të përdoret në sistemet e fasadave të ventiluara.

Grumbullim

Ndarje

Pastrim

Thërrmim/Grimcim

Klasifikim

Formulim

Prodhim

Testim

Vlerësim

Përfunduar

Shtylla e drurit të degraduar është përmbyllur në aspektin e objektivave kërkimore dhe është konkretizuar me një publikim shkencor ndërkombëtar. Aktivitetet e mbetura lidhen me fazat e certifikimit dhe patentimit të produkteve.

Në zhvillim

Shtylla e qelqit dhe plastikës së ricikluar në beton është në proces zhvillimi. Në fazën e parë janë realizuar objektivat dhe aktivitetet fillestare të kërkimit, përfshirë përgatitjen e materialeve, përpunimin e tyre dhe zhvillimin e formulimeve të para të betonit. Aktivitetet e mbetura lidhen me fazat e certifikimit dhe patentimit të produkteve.


reduktimin e sasisë së materialeve që përfundojnë si mbetje;

rritjen e përdorimit të materialeve të ricikluara në ndërtim;

zhvillimin e produkteve të reja me potencial arkitektonik;

mbështetjen e parimeve të ekonomisë qarkulluese;

krijimin e materialeve të përshtatshme për fasada të ventiluara;

dhe forcimin e lidhjes ndërmjet kërkimit shkencor, laboratorit dhe aplikimit në praktikën e ndërtimit.

Të transformojmë mbetjet në materiale me vlerë për të ardhmen e ndërtimit.

Foto gjatë takimeve të grupit të punës

Përgatitje + testim i paneleve kompozite me dru të degraduar

Përgatitje + testim i paneleve kompozite me beton dhe qelq të ricikluar