APLIKIMET PËR STUDIMET KANË FILLUAR!  APLIKO

Konferenca e Dytë Ndërkombëtare mbi Çështjet e Strehimit, Planifikimit, Zhvillimit Rezilient Urban dhe Territorial

Konferenca e Dytë Ndërkombëtare mbi Çështjet e Strehimit, Planifikimit, Zhvillimit Rezilient Urban dhe Territorial

 

Konferenca e Dytë Ndërkombëtare mbi Çështjet e Strehimit, Planifikimit, Zhvillimit Rezilient Urban dhe Territorial.

Drejt qasjeve euro-mesdhetare

16-17 tetor 2025

 

Problematika orientuese

Kjo konferencë rikthehet për herë të dytë në kontekstin akademik shqiptar, me synimin për të ndërtuar një traditë bashkëpunimi, e cila vendos në qendër kërkimin shkencor mbi tematiken e planifikuar të saj. Pas suksesit të konferencës së parë, organizuar më 13-14 tetor 2023, ku kumtesat u publikuan në librin e kumtesave, dhe një pjesë e përzgjedhur e tyre në revistën “Studia Albanica” dhe në një sërë platformash akademike ndërkombëtare.

Universiteti POLIS dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë e ndërmarrin sërish këtë aktivitet të rëndësishëm mbi një bazë të re. Ashtu siç është titulluar, kjo konferencë do të fokusohet në çështjet kyçe të strehimit, planifikimit urban dhe zhvillimit rezilient të territorit, duke krijuar një hapësirë shkëmbimi akademik dhe profesional për studiues, politikëbërës dhe ekspertë nga rajoni dhe më gjerë.

Në dekadat e fundit, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë përballur me transformime të thella në fushat e urbanizimit, planifikimit territorial dhe administrimit të qëndrueshëm të mjedisit. Ndryshimet demografike, sfidat ekonomike dhe presionet mjedisore kanë krijuar nevojën urgjente për strategji të reja në arkitekturë, planifikim urban dhe qeverisje territoriale.

Kjo konferencë ndërkombëtare synon të ofrojë një hapësirë akademike dhe profesionale për të shqyrtuar këto çështje, duke sjellë së bashku ekspertë, studiues dhe vendimmarrës për të eksploruar tendencat dhe sfidat kryesore që ndikojnë në zhvillimin e territorit.

Një nga shtyllat kryesore të konferencës është arkitektura dhe qyteti, ku do të trajtohen aspektet tipologjike dhe morfologjike të ndërtimit të formës së vendbanimeve, duke përfshirë analizën e tipologjive të banesave kolektive dhe individuale, si dhe ndikimin e trashëgimisë historike urbane në zhvillimin e qyteteve moderne. Rigjenerimi urban dhe ruajtja e identitetit kulturor janë të domosdoshme për të harmonizuar arkitekturën bashkëkohore me historinë e vendbanimeve.

Një tjetër sfidë madhore është kriza e qarkullimit dhe trafikut në qytete, e cila kërkon modele inovative për një qytet të qëndrueshëm dhe rezilient. Ndikimi i transportit publik, dizajni i hapësirës publike dhe integrimi i teknologjive të reja si GIS dhe AI për modelim dhe digjitalizim do të jenë në fokus, duke theksuar rëndësinë e automatizimit dhe menaxhimit inteligjent të infrastrukturës urbane.

Në këtë kuadër, modelet e reja të strehimit do të analizohen në raport me trendet demografike dhe sfidat teknologjike, duke theksuar politikat e strehimit, efikasitetin energjetik dhe përdorimin e materialeve inovative në ndërtim. Sigurimi i banesave të përballueshme dhe sociale mbetet një prioritet në politikëbërjen urbane, duke e lidhur këtë dimension me rritjen e qëndrueshmërisë mjedisore.

Ndërkohë, demografia dhe ekonomia do të shqyrtojnë modelet e zhvillimit territorial në kontekstin e presioneve makro-rajonale dhe qeverisjes sistematike të qyteteve. Roli i teknologjive të reja si AI, VR dhe Metaverse në menaxhimin e qytetit, si dhe ndikimi i bizneseve sociale për zhvillimin urban, janë fusha premtuese për përmirësimin e cilësisë së jetës në vendbanime.

Së fundmi, mjedisi urban dhe natyror do të vendoset në qendër të diskutimeve, duke trajtuar ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, si dhe integrimin e zgjidhjeve të bazuara në natyrë për përmirësimin e reziliencës urbane. Planifikimi adaptiv dhe praktikat e ekonomisë qarkulluese do të ndihmojnë në riformësimin e territorit në mënyrë të qëndrueshme dhe elastike ndaj sfidave klimatike.

Me këtë konferencë, Universiteti POLIS dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë synojnë të nxisin një debat të gjerë mbi këto çështje, duke kombinuar perspektiva studimore dhe praktike për të ofruar rekomandime konkrete mbi politikat dhe projektet e ardhshme të zhvillimit urban dhe territorial.

 

Thirrja e organizatorëve

Kemi kënaqësinë të njoftojmë se kjo konferencë shkencore ndërkombëtare do të zhvillohet më datat 16 dhe 17 tetor 2025 në Tiranë, Shqipëri.

Konferenca organizohet nga Universiteti POLIS (U_POLIS), në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe mbështetur nga partnerë të tjerë vendës dhe ndërkombëtarë.

Në kuadrin e reziliencës, tema kryesore e konferencës u kushtohet çështjeve të strehimit, planifikimit dhe zhvillimit urban rezilient të territorit sipas një këndvështrimi euro-mesdhetar, duke përfshirë Shqipërinë, Ballkanin Perëndimor dhe basenin e Mesdheut. Kjo ngjarje shkencore synon të bashkojë në një debat shkencor akademikë, politikëbërës, studiues, ekspertë, praktikues dhe palë të interesuara nga prejardhje të ndryshme shkencore, për të diskutuar dhe trajtuar sfidat kritike që lidhen me strehimin, planifikimin urban dhe zhvillimin rezilient të territorit. Në vijim të kësaj linje arsyetimi, tematikat e konferencës parashikohen si më poshtë:

 

Tematikat bazë të seksioneve të vecanta të konferencës:

Seksioni 1: Arkitektura dhe Qyteti: Aspektet arkitektonike, tipologjike dhe morfologjike të ndërtimit të formës së vendbanimeve:

  • Nga ndërtesa te forma e qytetit: Aspektet dhe instrumentet e ndërtimit të formës urbane në marrëdhënie me ndërtimet e reja dhe trashëgiminë historike dhe urbane.
  • Tipologjitë e banesave kolektive dhe individuale / Historia e qyteteve dhe arkitekturës / Dizajni arkitektonik: Morfologjia dhe forma.
  • Rigjenerimi dhe konservimi urban / Trashëgimia kulturore dhe historike / Qasjet rigjenerative në projektim dhe ripërdorim të hapësirave


Seksioni 2:
 Krizat e qarkullimit/trafikut në qytete dhe modelet e reja të qytetit të qëndrueshëm dhe rezilient

  • Infrastruktura dhe transporti publik në marrëdhënie me krizat e qytetit: Forma e qytetit që ndikon në qarkullim dhe lëvizje.
  • Dizajni i hapësirës publike (sheshe, rrugë, trotuare) në reduktimin e barrierave arkitektonike për një qarkullim të lirë.
  • Teknologjitë e reja në planifikim (GIS, AI, etj.) / Modelimi, simulimi dhe digjitalizimi / Bashkëprogresi i zhvillimit urban regjenerativ / Automatizimi i proceseve të projektimit në planifikim, arkitekturë dhe inxhinieri

Seksioni 3: Modele të reja strehimi dhe forma inovative arkitektoniko-urbane për t’ju përshtatur tendencave/sfidave demografike, teknologjike dhe zhvillimore:

  • Përballueshmëria e banesave / Tregu i banesave dhe tokës / Strehimi social / Politikat dhe sfidat e strehimit.
  • Energjitë pasive / Efikasiteti i energjisë në ndërtesa / Ngarkesa për ngrohje dhe ftohje / Ventilimi i brendshëm dhe natyror / Ndriçim natyral / Materiale dhe teknologji ndërtimi
  • Ekonomia qarkulluese në sektorin e ndërtimit


Seksioni 4:
 Demografia dhe Ekonomia: Sfidat dhe modelet demografike në Shqipëri dhe më gjerë në botë:

  • Qëndrueshmëria socio-ekonomike përballë presioneve makro-rajonale / Reduktimi i rrezikut nga fatkeqësitë.
  • Qeverisja territoriale dhe menaxhimi sistematik / Qytetet si sisteme të qëndrueshme shërbimi / Menaxhimi i zgjuar i qytetit / Bizneset sociale si shtytës për zhvillimin territorial / City-verse dhe kibernetika e re: AI, VR, AR dhe Metaverse.
  • Praktikat e ekonomisë qarkulluese dhe rigjeneruese në Ballkanin Perëndimor / Zbatimi i Agjendës së Gjelbër për BP: sfidat dhe mundësitë për komunitetet reziliente


Seksioni 5:
 Mjedisi urban dhe natyror: Problemet mjedisore, çështjet klimatike dhe sfidat e tjera mjedisore që ndikojnë në cilësinë e jetës në vendbanime:

  • Qëndrueshmëria dhe rezilienca në mjedisin natyror / Planifikimi adaptiv / Kompleksiteti në zhvillimin e territorit.
  • Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës / Shërbimet e ekosistemeve për zonat e mbrojtura dhe ato urbane/ Vlerësime strategjike mjedisore / Zgjidhje të bazuara në natyrë/ Vlerësimi i biodiversitetit urban

 

 

Detajet e eventit:

Detajet e Konferencës Informacioni
Datat e konferencës 16-17 tetor 2025
Vendi Akademia e Shkencave të Shqipërisë
Tema Çështjet e strehimit, planifikimit, zhvillimit rezilient urban dhe territorial: Drejt qasjeve euro-mesdhetare
Gjuha e komunikimit Anglisht dhe shqip (përjashtimisht, me tekst të vetëpërkthyer)
Tarifa e pjesëmarrjes Për të inkurajuar kërkuesit e rinj dhe ata me përvojë që të shprehin idetë e tyre pa pasur angazhim financiar, Universiteti POLIS do të mbulojë plotësisht tarifën e regjistrimit
Njoftimi i agjendës së konferencës 5 tetor 2025

 

Data të rëndësishme:

Procesi Afati
Dorëzimi i abstraktit (rreth 300 fjalë) 15 korrik 2025
Njoftimi i pranimit të abstraktit 30 korrik 2025
Dorëzimi i parë i kumtesës 15 shtator
Njoftimi i pranimit të kumtesës 30 shtator
KONFERENCA 16-17 tetor 2025
Dorëzimi final i kumtesës 31 tetor  2025
Publikimi në librin e kumtesave me ISBN Dhjetor 2025

 

Materiale Udhëzues:

Klikoni në linkun në vijim për të shkarkuar udhëzuesin e abstraktit dhe artikullit të plotë : (ngarkoni materianlin ne word)
Abstracti: (Kliko për ta shkarkuar)
Full paper: (Kliko për ta shkarkuar)

Regjistrimi dhe informacione të tjera:

Abstrakti dhe Artikulli i plotë duhet të dorëzohet në email-in në vijim: ich@universitetipolis.edu.al

Për regjistrim, për udhëzime për paraqitjen dhe për informacion më të detajuar në lidhje me konferencën, ju lutemi vizitoni faqen tonë zyrtare në www.universitetipolis.edu.al dhe në www.akad.gov.al Për çdo pyetje ose ndihmë të mëtejshme, ju lutemi mos ngurroni të kontaktoni komitetin tonë organizativ në adresën ich@universitetipolis.edu.al

 

Mundësitë e publikimit:

  1. Libri i Kumtesave (Book of Proceedings) me ISBN.
  2. Albanian Journal of Natural and Technical Sciences – AJNTS (Akademia e Shkencave e Shqipërisë)
  3. Revista FORUM A+P (Universiteti POLIS)
  4. Revista “Studia Albanica” (Akademia e Shkencave e Shqipërisë)

 

Pjesëmarrja dhe logjistika:

Ftojmë studiuesit, praktikuesit, politikëbërësit dhe palët e interesuara të paraqesin punimet e tyre kërkimore origjinale, bazuar në raste studimore, përmes abstrakteve, që sigurojnë respektimin e tematikave të konferencës.

Ne gjithashtu mirëpresim individët që dëshirojnë të marrin pjesë në konferencë pa dorëzuar një punim.

Konferenca do të mbahet në Tiranë (Shqipëri), në ambientet e Akademisë së Shkencave, në adresën: 8RGF+G48, shëtitorja Murat Toptani, Tiranë 1000. Vizitorët nga jashtë mund të arrijnë lehtësisht në Tiranë përmes aeroportit kryesor të vendit, Tirana International Airport (TIA). Nga aeroporti ka autobusë dhe taksi me tarifë fikse. Për më shumë detaje vizitoni https://www.tirana-airport.com/. Universiteti POLIS ndodhet afër autostradës që është rruga drejt qendrës së Tiranës dhe aeroportit. Akademia e Shkencave ndodhet në qendër të Tiranës, ku mund të gjeni mundësi të larmishme akomodimi. Për çdo nevojë dhe mbështetje, mos hezitoni të kontaktoni komitetin organizativ.

 

Bashkohuni me ne për të eksploruar mundësitë dhe sfidat për një kërkim shkencor drejt ekselencës. Mos e humbisni këtë mundësi për të qenë në ballë të formësimit të së ardhmes!